Avokatja Alesia Balliu (së cilës iu refuzua kandidatura për të garuar për kreun e PD), ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike dhe rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të kësaj force politike, në një proces pa garë, ku kandidonte ishte vetëm një emër, ai i kreut aktual të PD-së.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balliu sulmon drejtpërdrejt mënyrën sesi po drejtohet opozita, duke akuzuar familjen Berisha se po e përdor Partinë Demokratike për interesa personale dhe ekonomike. Konkretisht Balliu është ndalur te Shkëlzen Berisha, i cili sipas saj, është i vetmi që po pasurohet nga qëndrimi në opozitë i PD-së, duke e kthyer partinë në biznes.
“Sali, i vetmi i përdalë politik në PD e ka emrin Shkëlzen Berisha. I vetmi që po pasurohet nga qëndrimi në opozitë i PD-së është djali yt. Prandaj po e shkatërron PD-në dhe të ardhmen e saj, sepse demokratët varfërohen, ndërsa fëmijët e tu pasurohen”, shprehet Balliu.
Më tej, ajo bën një krahasim të fortë politik, duke deklaruar se ish-udhëheqësit komunistë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia “do të ndiheshin krenarë” për atë që po ndodh sot në PD.
“Enver Hoxha dhe Ramiz Alia do të ndiheshin krenarë kur shohin rizgjedhjen tënde në krye të PD-së, sepse plani për të shkatërruar të djathtën vazhdon”, deklaron ajo.
Në fund të reagimit të saj, Balliu i drejtohet drejtpërdrejt Shkëlzen Berishës, duke paralajmëruar përballje politike të vazhdueshme me të.
“Tani po i drejtohem Shkëlzenit, sepse ti je kthyer në një dordolec politik. Shkëlzen, përballë do të na kesh çdo ditë, sepse demokratët dhe Shqipëria nuk mund të trajtohen si biznes familjar”, përfundon reagimi i saj.
Komente










