Sondazhet e fundit të publikuara nga Report TV për zgjedhjet e 11 Majit 2025, situata në kampin opozitar, shanset e partive të reja, hendeku PS-PD, partitë e reja dhe problemet e politikës me SPAK, vota e emigrantëve dhe listat e deputetëve, u trajtuan në analizën e sotme (10 Janar) në “Studio Live”.
Të ftuar në Report TV ishin deputeti demokrat Dashnor Sula dhe analisti Arion Sulo.
Të dy ndanë mendime për situatën politike brenda kampit opozitar, strategjia që duhet ndjekur për përballjen me mazhorancën dhe se si të maksimalizohet vota nëpërmjet figurave që do përzgjidhen për deputetë në lista.
Deputeti Sula shprehu dyshimin se kryeministri Rama mund t’i vjedhë përsëri si në 2021 votat me bandat e tij, por vuri në dukje se duhet pasur kujdes nga kryetari Berisha në përzgjedhjen e listës së deputetëve, që partia të mos kalojë përsëri në krizë pas një konflikti 3-vjeçar. Gjithashtu ai theksoi se SPAK nuk e heton dot kryeministrin, teksa ngriti shqetësimin për situatën e krimit dhe korrupsionit.
Kurse Sulo u shpreh se Rama po anashkalon figurat e vjetra politike në parti, duke përfshirë në listat e mbyllura emra të rinj dhe nxjerrë në listat e hapura emra të vjetër në karrierë. Sipas tij, Rama nuk do zëra kundër në parti.
Pyetjes primare apo model tjetër, deputeti Sula iu prërgjigj:
“Primare apo model tjetër nuk është në kompetencën time. Por edhe ajo primare ka vlerë për shkak të statutit të PD, pasi ka njerëz brenda partisë që i kërkojnë, por nga ana tjetër është edhe një situatë e konfliktit që vijmë prej tre vitesh dhe e ndjej nga terreni, ku mbi 90% është bashkuar PD. Kshu që duhet një vendim i kujdesshëm që të mos krijojmë konflikte dhe të mos fusin në krizë PD. Duhet një model i gjithëpranuar, sepse bëhet fjalë për listën e PD dhe për procesin e përzgjedhjes, me anë të degëve të partisë, që të dali më i miri i listës”.
Në lidhje me emrat për kandidatë në zgjedhjet e PD në qarqe, ligjvënësi theksoi se duhet marrë mendimi gjithpërfshirës dhe të bëhej ndërthurje e kujdesshme, që të mos krijonte përçarje.
“Duke njohur terrenin them se ka një divizë që ka individi në karrierën politike. Pra s’mund ta vendosë kryetari i partisë në mënyrë të njëanshme apo apriori, kur ti ke punuar në terren dhe je përballur me krimin e organizuar, kjo s’është normale. Por mendoj se duhet ndërthurje. Pra duhet të ketë një lloj kombinimi, nuk është e ndarë me thikë kjo gjë, por duhet ndërthurja. Kemi kuotat e grave dhe për realitet luftën në terren s’e bëjnë dot gratë, por ndërthurja e figurave të partisë dhe qetësi në listë, ku ka sistem proporcional rajonal. Kurse listat e hapura nuk do kishin më rëndësi se kush do ishte emri, por numri i mandateve të fituara. Në variantin që kemi duhet të tregohemi të kujdesshëm, rëndësi ka përzgjedhja e figurave të listës së PD. Unë them se do kemi figurat më të mira, emrat më të mirë. Mazhoranca është e përfshirë me krimin e organizuar, të hetuar në SPAK, me dosje, nën akuzë apo në SKY ECC, kurse nga PD nuk ka njerëz të tillë, ndaj them se kemi figurat më të mira. Ndaj do doja që të kandidonin emra që ia vlejnë”, shprehet Sula.
Kurse analisti Arion Sulo thotë se primaret për opozitën janë shprehje e demokracisë së drejtpërdrejtë ku përzgjedh elektorati.
“Primaret janë shprehje e demokracisë e drejtpërdrejtë, pra kur nuk zgjidhet nga kryetari, por nga qytetarët. Pra kemi demokraci të drejtpërdrejtë. Por në këtë mes kemi statutin e PD dhe një nga shtyllat që Berisha pati gjatë foltores për ringritjen e PD, programin e tij, ku anoi më shumë tek e dyta, sepse primaret duhet të zhvillohen, sepse do kemi problem me elektoratin. Te listat e hapura më shumë se je përballë kundërshtarit, është ajo e përballjes brenda llojit”, tha ai.
Kurse për situatën në krahun e mazhorancës ai sheh një përpjekje të Ramës për të eliminuar figurat e vjetra. Por edhe rrezikun se Berisha mund të anojë nga qëndrestarët e Foltores.
“Ajo që bën Rama me 30% e emrave të rinj apo nga jashtë, ka të bëjë me mbylljen e karrierës së figurave të partisë. T’i futësh këto figura të vjetra në listat e hapura do të thotë eliminim të tyre, për ta mbajtur partinë pa kundërshtarë dhe zëra kundra. Berisha jo pa të drejtë mund të anojë nga ata qëndrestarët që iu bashkuan në betejën e tij (gazetari Arbër Hitaj paralajmëron me humor edhe deputetin Sula që iu bashkua vonë kryetarit). Pra do jetë i paragjykuar për hartimin e listës, si kreu i partisë që ka atributin. Rama eliminon elitën e partisë, s’do zëra kundër!”, thekson analisti.
Deputeti Dashnor Sula, sot në 'Studio Live' të Report TV
Një tjetër temë e analizës në Report TV, në panelin e “Studio Live” mbrëmjen e sotme ishte edhe çështja e hetimeve të SPAK ndaj politikës, sa ndikon kjo për zgjedhjet dhe si paraqitet situata elektorale mes kampeve politike.
Deputeti Dashnor Sula tha se i trembet ndërhyrjes së qeverisë te vota, si te ajo e qytetarëve brenda territorit, dhe te e emigrantëve, pasi sikurse edhe më 2021, ai nuk do e lejojë rotacionin. Kurse për SPAK tha se ka frikë të hetojë Ramën, ndaj heton dhe akuzon Berishën, të cilin e quajti edhe “baba ideologjik”.
“Me bandat dhe krimin e organizuar dhe vjedhjen e votave, e dimë se Rama i fiton zgjedhjet, sepse e shohim edhe në rajon si në Serbi apo Turqi etj. Pra edhe Nano më 2005 edhe Berisha më 2013 po të donin nuk e lejonin rotacionin dhe mund t’i vidhnin zgjedhjet, kurse Rama nuk e lejoi më 2021, edhe pse vota nuk ishte për atë dhe ku u morën 8 mandate në tavolinë. Rama është në pakicë po nuk i vodhi zgjedhjet dhe po nuk përdori bandat dhe korrupsionin.
Teksa e quan si “babai ideologjik”, deputeti thekson se edhe Berisha ka pasur gabimet e tij në qeverisje, por nuk ka qenë i koprruptuar si Rama, pasi nëse do kishte prova ndaj tij do ishte burgosur.
“Berisha ka gabime, ka defekte gjatë qeverisjes, por ama përsa i përket korrupsionit, po të akuzohej për korrupsion, fonde, tendera e koncesione, unë do kisha mbyllur gojën. Mendoni se do ia falnin Berishën po të kishin prova për korrupsion, po marr atë si masë dhe stekë, se ai është babai ynë ideologjik. Por për Ramën SPAK-ut nuk ia mban, nuk ia mban! Nuk ekzistojnë inceneratorët dhe vazhdon e paguhen lekët nga buxheti! Në Elbasan nuk dihet se ku shkojnë lekët 13,5 euro për ton. Ajo gjëja m... ka shkuar deri këtu, mban era gjithandej, ka vajt ku s’mban më, është qelbur nga tëra anët, është bërë rumpallë”, tha ligjvënësi demokrat.
Kurse për kodin zgjedhor dhe një marrëveshje të supozuar dhe dyshuar mes dy forcave të mëdha ai e quajti të pavërtetë dhe përdori zhargonin popullor për ta përkufizuar. Kurse për votën e emigrantëve u shpreh se më mirë të numërohet në KQZ, se ndryshe ia vjedh Rama.
“Nëse do themi se Sali Berisha është i shitur te Edi Rama për marrëveshje, atëherë vari l... kësaj pune, më falni për shprehjen, por unë s’merrem më. Marrëveshje me Taulant Ballën? Kjo është e tmerrshme, me këtë që ndodh në këtë vend. Më mirë në KQZ numërimi i votave se po u çuan në qytete i morën bandat rrugës dhe i vodhën. Rëndësi ka të jetë me kamera dhe monitorim, se ndryshe”, përfundoi ai.
Por si e shikon betejën Rama-Berisha analisti Arion Sulo?
“Berisha vjen me barrë penale në këto zgjedhje. Rama vjen me barë tjetër, përveçse lista e 58 zyrtarëve nën hetim apo të dënuar, ku edhe 21 Janari vazhdon dhe hetohet. Po edhe zoti Meta kështu, me hetimin dhe arrestimin. Kryeministri në Shqipëri ka kompetenca dhe fuqi të jashtëzakonshme, vendi është qeverisur nga 4 vetë”, u shpreh ai.
Sulo ngre dyshime sesi vetëm Rama nuk hetohet nga SPAK, teksa ka 58 zyrtarë e ish-zyrtarë të dënuar, në hetim apo proces.
“Si ka mundësi që vetëm Rama nuk ka çështje nga SPAK, i cili është ngritur me votat e deputetëve, si asnjë prokurori tjetër. I gjithë rrethi i bashkëpunëtorëve të kryeministrit janë të hetuar, të pandehur apo që kanë dijeni. Kjo shpjegohet me frenat e SPAK-ut kur vjen puna te Rama dhe mazhoranca dhe me shtypjen e gazit kur vjen puna te opozita (janë 58 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, ndërhyn Arbër Hitaj). Sapo përcollëm një lajm se për Olsi Ramën u mbyllën hetimet, pasi SPAK shprehet se nuk ka prova për të. Kjo lidhet me deklaratën e Ramës në parlament ndaj Bardhit, kur i tha o ti o unë, do presim hetimet e SPAK, unë iki nga politika nëse provohet! Ishte deklaratë shumë e fortë”, theksoi Sulo.
Në fund ai ndau mendimin se për votën e emigrantëve nuk besonte se kishte marrëveshje PS-PD, por ishte çështje teknike.
“Nëse kanë pakt të fshehtë për koncesion a pasuri kombëtare, do kishim diçka për t’u dënuar. Por shoh se është teknike, çështje e Kodit ku thuhet se pagesën e ka në ngarkim vetë votuesi në rastin e emigrantit. Kjo pjesë duhet hequr dhe t’i kalojë pagesa nga ana e shtetit, kjo kosto shkon në 5 mln euro, nuk janë shumë. Mendoj se duhet ndërruar edhe pika e vendit të numërimit të votave, sepse është lënë në KQZ”, përfundoi ai.