TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme shtyrjen e afatit të skadimit të kartave të identitetit të qytetarëve shqiptarë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri me dije se të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që të votojnë më 14 maj, ndonëse dokumenti i tyre ka skaduar. Vendimi futet sot në fuqi, që do të thotë është i vlefshëm për ato qytetarë që karta e identitetit skadon duke nisur nga sot, deri në ditën e zgjedhjeve. Vlefshmëria e kartës do të jetë deri më 31 maj. Çuçi tha se një vendim i tillë është marrë pas konsultimit me KQZ, por edhe duke parë edhe numrin e madh të dokumenteve të identitetit që kanë skaduar.
“Miratuam në Këshillin e Ministrave vendimin për shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit të shqiptarëve që skadojnë më 14 maj. Shtyrje që vjen si rezultat i konsultimit të KQZ që mbart shqetësimin e partive politike. Duke parë numrin e madh të dokumenteve të identitetit që skadojnë ose kanë skaduar vendosëm që ta shtyjmë afatin, në këtë mënyrë të gjithë shtetasit mund të votojnë më 14 maj, pavarësisht se dokumenti i tyre i identitetit ka skaduar”, tha Çuçi,
Ministri u pyet edhe në lidhje me kompaninë publike, “IdentiTek”, e cila nga korriku pritet të marrë në dorë prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Çuçi tha se ende nuk ka një vendimmarrje sai takon çështjes së çmimeve, por duke qenë se do të kalojë në dorën e shtetit, Çuçi tha se janë më fleksibël për të ndryshuar çmimet dhe do shohin në vijim hapësirat që mund të krijohen për të ulur çmimin e kartës së identitetit.
Sa i përket miratimit të strukturës së re të policisë, Çuçi e konsideroi si një vendim shumë të rëndësishëm, që përmbush një nga objektivat e vitit 2023.
"Sot morëm edhe një vendim të rëndësishëm, për t'i hapur rrugë zbatimit dhe implementimit të strukturës së re të Policisë së Shtetit, duke miratuar të gjithë strukturën e gradave në qeveri. Tashmë, struktura që është miratuar, fillon zbatimin dhe është, besoj unë, një nga reformat më të mëdha strukturore që ka bërë Policia e Shtetit, sidomos për të adresuar pjesën e riorganizimit, apo ristrukturimit tërësor të policisë kriminale. Besoj që është një nga vendimet më të rëndësishme, edhe në zbatim të objektivave të Ministrit të Brendshëm për 2023, në lidhje me rendin dhe sigurinë."
I pyetur nëse Vettingu ndaj policëve ka lidhje me zgjedhjet vendore, Çuçi e mohoi të ketë lidhje. Ai u shpreh se procesi vijon sipas ligjit.
“Vettingu në polici është pezulluar kohë më parë, me ligj. Ne, morëm kohën e duhur për ta ribërë ligjin dhe për ta ndryshuar. Nuk ka lidhje me zgjedhjet sepse është një proces që vijon sipas ligjit. Ne bëmë publike edhe shortin që u hodh”- tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është pyetur për fleksibilitetin që mund të ketë për qytetarët ndryshimi nga kompani private në publike për prodhimin e pasaportave dhe kartave të ID.
Çuçi u shpreh se me “IdentiTek” do mund të ketë fleksibilitete dhe shteti do mund të ndërhyjë më tepër për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Kompania publike ndihmon gjithashtu për të lehtësuar barrierat e dikurshme për të bërë ndryshime efiçente për qytetarët.
“Nuk është e lidhur fare me çmimin, është marrëdhënie kontraktore me kompaninë që mbaron në korrik të këtij viti.
Do përfundojmë kontratën dhe do e marrim në dorëzim gjithë kompaninë e kartave.
Pastaj çështja e çmimit është një çështje që vendoset. Jemi më fleksibël për t’i ndryshuar çmimet. Jemi fleksibël por s’lidhet me ndryshimin e ligjit.”-tha Çuçi.
Një nga ndryshimet që kjo agjenci do të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat, por akoma nuk janë përcaktuar pasi janë në diskutim.
Eshte nje lajm shume i mire per te gjithe qytetaret ku do kene mundesine te votojne pa problem fare
PërgjigjuNje mundesi shume e mire qe vetem qeveria din ta bej me te miren
Përgjigju