Socialistët janë të gatshëm të diskutojnë për ndërrimin e sistemit zgjedhor, me kushtin që demokratët të pranojnë diskutimet për uljen e numrit të deputetëve, përmes një reforme të thellë kushtetuese.
Shtrirjen e dorës për bashkëpunim bëri Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore.
“Na jepni 101 deputetë, ju japim sistemin proporcional kombëtar nëse jeni të gatshëm të bëjnë një komision të reformës kushtetuese”, tha Gjiknuri.
Por për demokratët listat 100 për qind të hapura, nuk janë vetëm kërkesë e tyre.
“Duhet t’u përgjigjemi njerëzve, për listat 100 për qind të hapura!”, theksoi Bylykbashi.
Komisioni i reformës zgjedhore iu rikthye punës 4 muaj pas mbledhjes së fundit që u mbajt më 28 korrik, ndërsa në rendin e ditës ishte diskutimi për formulën si do të zgjidhen anëtarët e këshillave bashkiakë pas ndarjes së re territoriale. PS e kishte futur me urgjencë këtë pikë të re, ndërsa ajo u kundërshtua nga demokratët.
Në një deklaratë, shefi i grupit të PS, Taulant Balla e bëri të qartë se nëse vijon bojkoti, socialistët do të ndjekin një skenar të ngjashëm me atë të reformës territoriale.
"Nëse PD nuk do të vijë në komision deri më 30 nëntor, mos të habitet kur të çojmë propozimet tona në Kuvend”, tha Balla.
Pasi palët nuk ranë dakord për këtë ndryshim, Bylykbashi mbylli mbledhjen në mënyrë të njëanshme vendim, që u respektua nga socialistët për shkak të vetos së demokratëve.
Ndërkohë, pak orë para se të mblidhej zgjedhorja, socialistët mblodhën të vetëm komisionin për fazën e dytë të reformës territoriale, që ka si synim aktet ligjore dhe nënligjore për funksionimin e 46 bashkive të reja!
“Te faza e parë u fokusuam te territori, kaluam nga 61 në 46 bashki. Njësitë administrative ruhen, bashkitë e reja do të konstituohen në zgjedhjet e reja vendore të vitit 2027. Faza e dytë do të ketë katër kolona pune: qeverisja është e para, funksionet, financat dhe realizimi”, tha Mazniku.
Komisioni i ri i territoriales u bojkotua nga demokratët, ndërsa reforma zgjedhore duhet të mbyllet maksimalisht deri në fund të këtij viti në mënyre që KQZ të ketë mundësi të organizojë normalisht zgjedhjet e 9 majit.
Taulant Balla ia bëri të qartë deputetëve të opozitës se nëse bojkoton komisionin për reformën zgjedhore, PS do të dorëzojë në Kuvend propozimet e saj. Pretendimeve të PD se po anashkalohen rekomandimet e OSBE-ODIHR i quajti “teatër” që zgjat “prej një dekade”.
Një premtim të qartë, kreu i grupit të PS e bëri edhe për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit.
“Teatër prej një dekade që lidhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Nëse deri më 30 nëntor PD nuk vjen në komision për të punuar së bashku, hedh shashka dhe ne i diskutojmë. E bojkotuan ata komisionin. Nuk ke pse abuzon me një të drejtë që të kemi dhënë ne. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne... dua t’i them PD që ne do t’i japim Shqipërisë mundësinë që të zhvillojë zgjedhjet e 9 majit që edhe bashkitë që u bashkuan të kenë anëtarët e vet në këshillat bashkiakë. PD duhet të kuptojë që edhe ne kemi pasur disa propozime, si rikthimi i numërimit në qendrat e votimit. Nëse PD nuk do të vijë në komision deri më 30 nëntor, mos të habitet kur të çojmë propozimet tona në Kuvend”, tha Balla.
Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës në komisionin për ‘Zgjedhoren’ për të hequr pikën e “detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.”
Bsahkëkryetari Oerd Bylykbashi thotë se kjo pikë është futur në mënyrë të njëanshme dhe s’bën pjesë në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Çështja që PD do të diskutojë janë ndarja e partisë nga shteti dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin në zgjedhje.
Kërkesa e plotë:
"I nderuar bashkëkryetar,
të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm,
Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-oppzitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë.
Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme në lidhje me detyrime që sipas njoftimit, i vikan Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve, është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës.
Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.
Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.
Për sa më sipër kërkoj që deri në ora 11.00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.











Komente
Komento