Programi Kombëtar i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës ka zgjeruar fashën e grupmoshës së përfshirë, 35-55 vjeç nga 40-50 vjeç që ishte më parë.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka dhënë një mesazh lidhur me diagnostikimin e sëmundjes që mesatarisht kryhet në moshën 53 vjeç. Sala thotë se ky është tregues i qartë për nevojën e diagnostikimit të hershëm dhe gratë e përfshira në program do të marrin çdo vit njoftime informuese në celular për kryerjen e testit HPV.

Depistimi kryhet falas pranë qendrave shëndetësore përkatëse. Ministrja e vendos theksin te parandalimi dhe investimi në shëndetin e grave.

“Sot bëjmë një hap të rëndësishëm për shëndetin e grave dhe për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri.

Bazuar në të dhënat shkencore, situatën epidemiologjike në vend, rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe në Strategjinë Globale të OBSH-së për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës vendosim të zgjerojmë fashën e grupmoshës për depistimin e kancerit të qafës së mitrës me testin HPV, nga 40–50 vjeç në 35–55 vjeç, në kuadër të Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës.

Në Shqipëri, mosha mesatare e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës është 53 vjeç, çka tregon qartë se depistimi duhet të fillojë më herët dhe të mbulojë një periudhë më të gjerë rreziku.

Për ta bërë këtë program sa më të aksesueshëm dhe efektiv, çdo vit gratë e kësaj grupmoshe do të marrin mesazhe njoftimi/ kujtese në telefonin celular, përmes SMS-ve informuese, që do t’i ftojnë gratë të drejtohen pranë qendrës shëndetësore ku janë të regjistruara, për kryerjen e testit HPV dhe marrjen e informacionit të duhur nga personeli ynë shëndetësor.

Ky është depistim i organizuar, i planifikuar dhe i barabartë për të gjitha gratë e grupmoshave specifike dhe është një shërbim publik i siguruar e garantuar falas nga MSHMS.

Ky vendim është një investim për shëndetin e grave, për familje më të shëndetshme dhe për një shoqëri më të fortë.

Parandalimi është forma më e mirë e kujdesit shëndetësor dhe ne zgjedhim të veprojmë në kohë, duke forcuar programet tona të depistimit”, tha ministrja.