Zgjerohet koalicioni qeveritar në Maqedoni

Zgjerohet koalicioni qeveritar në Maqedoni

Lëvizja Besa, krahu i Afrim Gashit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit do të jenë pjesë e koalicionit qeveritar në Maqedoni. Lëvizja Besa do të marrë ministrinë e Kulturës, ndërsa PDSH një ministri pa portofol që do të merret me çështjen e investimeve të huaja. Këtë post do ta drejtojë Bardhyl Dauti, i cili ishte deputet për disa muaj në përbërjen e fundit parlamentare prej nga u largua për të garuar në zgjedhjet lokale për kreun e Tetovës në tetor të 2017-ës. PDSH-ja do të ketë edhe një post të zëvendës-ministrit të Transportit.

Në qeverinë e kryeminstrit Zoran Zaev do të hyjë edhe partia rome e Amdi Bajramit, e cila për shumë vite ishte partnere qeveritare me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit. Por, partisë së tij do t’i ndahen vetëm vende drejtorësh të agjensive dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi theksoi se partia e tij deri tash ka qenë opozitë konstruktive, në veçanti në procesin e euro-integrimeve dhe ligjeve reformuese. Ai e ka quajtur korrekte dhe konkrete ofertën e Kryeministrit Zaev.

Ndërkohë, Lëvizja Besa, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik (krahun e Tetovës e drejton Bilall Kasami), pritet ta miratojë vendimin e arritur midis zotit Zaev dhe zotit Gashi.

Pritet të ketë edhe ndryshime të tjera postesh në qeveri. Ministria e Arsimit mund të kalojë tek Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Ministria e Drejtësisë, që për disa javë ka qenë pa ministër pasi Bilen Saliji i BDI-së dha dorëheqjen, mund t’i kalojë Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Kryeministri Zoran Zaev u tha mediave se propozimin me emrat e rinj të ministrave do ta nxjerrë para deputetëve në parlament deri në fund të javës.

Koalicioni qeveritar i drejtuar nga LSDM do të shtojë shumicën në parlament dhe numri i ligjvënësve të partive në pushtet pritet të arrijë në shtatëdhjetë.

Megjithatë, kjo është larg shumicës prej dy të tretave të nevojshme për kalimin e një sërë ligjesh dhe vendimeve të tjera.

VMRO-DPMNE që nga rikthimi në punimet e parlamentit pas një bojkoti disa muajsh, ka dëshmuar se po mbështet ligjet që kanë të bëjnë me reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, pavarësisht një retorike të ashpër kundër qeverisë dhe partisë rivale maqedonase, LSDM./ VoA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur