Pas afro 10 ditë nga zhdukja, shpresat për të gjetur gjallë 34-vjeçarin Eglant Koçi janë shuar. Policia nuk ka më asnjë dyshim se ai është vrarë dhe kërkimet e policisë janë përqendruar tashmë në gjetjen e trupit të pajetë të të riut.

“Për zhdukjen e Eglant Koçit, ngjarje goxha sensitive, nga ana jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Indicia është marrë nga familjarët e të humburit. Hetimi po ndiqet nga struktura e Krimeve të Rënda. Është një strukturë e posaçme që po kërkon trupin e tij. Kërkimet janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës. Krahas forcave tona, na ka ardhur në ndihmë edhe FSK-ja. Vijon kërkimi, deri tani nuk kemi një rezultat konkret”, tha Oliger Torba.

Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Armand Shakaj, i cili dyshohet se e ka ekzekutuar 34-vjeçarin pasi e mori me forcë në zyrën e tij në Tiranë, dhe  ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij brenda të cilit mbante trupin e pajetë, drejt zonës së Ibës. 41-vjeçari në kërkim dhe Eglant Koçi ishin miq me njëri-tjetrin, dhe deri më tani besohet që të jenë konfliktuar për kriptovalutat, por kjo është një pistë ende e pakonfirmuar.

Ndërkohë, një tjetër operacion i gjerë është në zhvillim nga policia e Tiranës për arrestimin e një tjetër të kërkuari. Sadik Llanaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshit, ngjarje e ndodhur më 8 qershor në Paskuqan.

“Në lidhje me autorin e dyshuar të vrasjes, Sadik Llanaj, gjej rastin të falenderoj qytetarët sepse kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë. Për këtë arsye është ngritur një grup duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij, janë ushtruar mbi 20 kontrolle banesash. Aktualisht vijon puna për kapjen e tij. Për shkak të rëndësisë së operacionit vijojnë të angazhohen forcat RENEA dhe besojmë që shumë shpejt do të kapet ky person”, tha Llanaj.

Policia e Tiranës thotë se të dyja ngjarjet mbeten prioritare, ndërsa operacionet në terren vijojnë pa ndërprerje.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:27
Bilanci i policisë për muajin maj: 6 automjete të sekuestruara, vlera nga 50 deri në 500 mijë euro

Në prezantimin e bilancit të plotë për muajin maj, policia e Tiranës njoftoi se janë sekuestruar 6 automjete të vjedhura jashtë shtetit, me vlerë nga 50 mijë deri në 500 mijë euro.

“Janë zhvilluar 6 faza të operacionit të koduar “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, ku janë sekuestruar 6 automjete me vlerë nga 50.000 deri në 500.000 euro. Për këto raste janë proceduar 6 shtetas.”

Sipas bilancit, në maj janë evidentuar 1436 vepra penale dhe janë zbuluar 1331 prej tyre. 1376 autorë janë identifikuar, nga të cilët 247 janë arrestuar ose ndaluar, 1055 janë nën hetim dhe 60 janë shpallur në kërkim. Në total, janë finalizuar 58 operacione policore.

Ora 11:06
Falsifikonin dokumente identifikimi, policia e Tiranës: Goditëm 2 baza, 4 të arrestuar! Kërkonin nga 8 mijë deri në 180 mijë lekë

1781341778_1773252675pasaporte.jpg

Policia e Tiranës ka goditur dy baza të falsifikimit të dokumenteve të identifikimit dhe ka arrestuar 4 persona. Policia thotë se për falsifikimin shuma varionte nga 8 mijë deri në 180 mijë lekë dhe porositeshin nga qytetarë të Kosovës.

“U zbuluan dy baza të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si patenta, karta identiteti dhe pasaporta biometrike dhe u vunë në pranga 4 shtetas. Falsifikimet e dokumenteve varionin nga 80 mijë lekë të vjetra deri në 1 milion e 800 mijë lekë për pasaporta biometrike, të cilat porositeshin nga qytetarë nga Kosova për t’u përdorur në vendet e Bashkimit Evropian”, tha policia gjatë prezantimit të bilancit për muajin maj.

Ora 10:48
Vrasja e 28-vjeçarit në Paskuqan, policia e Tiranës: Autori Sadik Llanaj i rrezikshëm, po kërkohet nga RENEA! Janë kontrolluar 20 banesa

1780924161_sadikllanaj.JPG

Sadik Llanaj, autori i vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan, është ende në kërkim dhe për të janë angazhuar forcat RENEA, bëri me dije drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba. Janë kontrolluar 20 banesa, shtoi ai, ndërsa veçoi bashkëpunimin e qytetarëve.

“Në lidhje me autorin e dyshuar të vrasjes, Sadik Llanaj, gjej rastin të falenderoj qytetarët sepse kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë. Për këtë arsye, është ngritur një grup duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij, janë ushtruar mbi 20 kontrolle banesash. Aktualisht vijon puna për kapjen e tij, për shkak edhe të rëndësisë së operacioneve vijojnë të angazhohen forcat RENEA dhe besojmë që shumë shpejt do të kapet ky person. Kemi pasur informacione shumë të vlefshme nga qytetarët”, tha ai.

Hetuesit kanë arritur të rindërtojnë lëvizjet e Llanajt deri në zonën e Liqenit të Bovillës. Policia ka gjetur të braktisur automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori pranë liqenit të Bovillës. Nga kontrolli i mjetit nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme apo prova që mund të çojnë menjëherë në lokalizimin e 39-vjeçarit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.