Festim Bexhdili i është drejtuar sërish Gjykatës së Lartë me rekurs ku kërkon të prishet vendimi i Apelit të Posaçëm i datës 25 korrik 2025 për dënimin e tij me burg përjetë në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Ilir Panda është caktuar relator i çështjes nga shorti elektronik që është hedhur në shkallën e tretë të gjyqësorit, i cili pritet të caktojë datën e shqyrtimit të rekursit.

Festim Bexhdili u shpall fajtor për kryerjen e veprave penale "Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit", kur është shkaktuar vdekja, në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, "Fshehja ose asgjësimi i kufomës", në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".

Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Prokuroria ka provuar se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi, i njohur si një emër i botës së krimit, i cili dyshohet se e ka porositur rrëmbimin nga Ekuadori, ku ndodhej në atë kohë.

Bexhdili ishte kopshtari i resortit ku Jan Prenga u mbajt peng dhe u torturua. Ndërsa Olsi Turja, kamarieri i lokalit, u dënua me 3 vite burg për veprën penale “moskallëzim krimi”.