Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të kësaj të hëne janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, ndërsa 6 janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjet me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës, një ekskavator të rëndë dhe 3 helikopterë.

Në Dajt vatrat vijojnë aktive në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga 1 helikopter i ushtrisë. Fatmirësisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Pukë, situata në zonën e Tërbunit–Gojanit–Gjegjanit është përmirësuar ndjeshëm. Zjarri është shuar plotësisht në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes. Në operacion janë angazhuar forca të Zjarrfikëses, shërbimit pyjor, strukturave vendore, vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, me mbështetje nga toka dhe ajri.

Në Gojdan, Fushë-Arrëz, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e një vatre në sipërfaqe pyjore, me angazhim të strukturave vendore, forcave zjarrfikëse, Policisë, vullnetarëve dhe 1 helikopteri të Forcave të Armatosura. Nuk ka rrezik për banesat.

Në qarkun e Dibrës mbeten aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafën e Helmës, por pa rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në Bërshi është shuar plotësisht.

Edhe në qarkun e Lezhës situata është përmirësuar. Vatrat në Lufaj dhe Shtuf janë fikur, ndërsa Kalivaçi dhe zona e Tenës vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Në Elbasan dhe Vlorë po monitorohen disa vatra pa rrezik për banesat. Ndërkohë, një vatër e re aktive është raportuar në malin e Luzatit, në Tepelenë, ku po ndërhyjnë strukturat vendore zjarrfikëse.

Ndërkohë Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, në një raport informon se nga zjarret në vendin tonë kanë shkrumbuar 9050 hektarë sipërfaqe pyjore

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:49
Një tjetër zjarr në Pukë, dyshohet se flakët janë vënë qëllimisht

1787300501_SHKODERZJARR.jpg

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar këtë të martë në pyjet e Pukës. Flakët kanë shpërthyer në zonën e njohur si Bojdan, pranë disa varrezave.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm. Pak ditë më parë, në të njëjtën zonë, policia asgjësoi një parcelë me kanabis.

Drejt vendit të ngjarjes është nisur një mjet zjarrfikës për të ndërhyrë në shuarjen e flakëve.