Një ditë pas miratimit në Parlamentin Europian, Report Tv ka siguruar rezolutën për Shqipërinë në të cilën shprehen shqetësimet lidhur me Ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe Ligjin e Investimeve Strategjike.

Në të, kërkohet ndryshimi i ndërhyrjeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike brenda zonave.

“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji i Shqipërisë i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktojnë kontrollin mjedisor, gjë që rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera ekologjikisht të ndjeshme; kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta thekson se Komisioni e ka paralajmëruar Shqipërinë për veprimet që mund të ndikojnë në procesin e integrimit ndërsa vijojnë protestat kombëtare për projektin në zonën e Vjosë-Nartës.

“Thekson se Komisioni e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në mes të protestave të vazhdueshme kombëtare lidhur me një projekt luksoz zhvillimi në shkallë të gjerë që kërcënon një zonë të mbrojtur të faunës së egër, habitat i flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave; në këtë drejtim, i bashkohet kritikave të Komisionit dhe rikujton se përafrimi me rregullat mjedisore të BE-së, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është parakusht për anëtarësimin në BE”, vijon më tej.

Në rezolutë kërkohet moratorium për ndërtimet në zonat e mbrojtura deri në ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe përputhje të plotë me standardet e BE për mbrojtjen e natyrës.

Në të bëhet thirrje që çdo projekt në fushën e turizmit në zonat e mbrojtura në Shqipëri duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet në vazhdim brenda zonës së mbrojtur të Vjoës-Nartës tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të jetë siguruar përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”, thuhet në rezolutë.

PE rrëzoi një amendament ku kërkohej të përmendej kompania e Jared Kushner, “Affinity Partners” si dhe projekti në Zvërnec.

Në tërësi, dokumenti vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit europian, mbështet fuqishëm anëtarësimin e vendit teksa kërkon vijimin e reformave.

 

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë