Irani dhe gjashtë fuqitë e mëdha janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për disa pika kyçe të çështjes së programit bërthamor iranian, theksuan sot diplomatët perëndimorë, dy ditë nga data përfundimtare për arritjen e një marrëveshjeje.
Një prej këtyre çështjeve ka të bëjë me numrin e centrifugave (makina që mundësojnë pasurimin e uraniumit), që Irani do të pranojë t'i reduktojë në 6 000, sipas një prej këtyre burimeve. Irani disponon aktualisht rreth 19 000 centrifuga, gjysma e të cilave janë në aktivitet.
Përveç të tjerave, Teherani kishte pranuar eksportimin e të gjithë ose të një pjese të stogjeve të uraniaumit, pjesërisht i pasuruar, që arrin në 8 000 ton.
Përveç kësaj, qendra nëntokësore "Fordo", pranë qytetit të shenjtë të Qomit, do të ndërpresë pasurimin e uraniumit, sipas një diplomati tjetër duke lënë të kuptohet se qendra mund të vazhdojë të funksionojë për përdorime të tjera.
"Detaji i negociatave është në brendësi të dhomës së negociatave dhe asnjë nuk është i autorizuar të japë detaje", reagoi një diplomat iranian.
Çështja e pasurimit të uraniumit është në qendër të çështjes së programit bërthamor iranian. Fuqitë e mëdha (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Rusi, Kinë dhe Gjermani) kërkojnë të sigurohen që Irani nuk do të pajiset me bormbë atomike./atsh/