Zyrtare, portieri Donnarumma
nuk rinovon me Milanin

Donnarumma nuk do ta rinovojë kontratën me Milanin dhe kjo gjë është bërë zyrtare nga drejtori i përgjithshëm i kuqezinjve. Dje pas një takimi që zgjati rreth 40 minuta mes Mino Raiola, menaxheri i lojtarit dhe Fassone-s, ky i fundit doli me një deklaratë, duke bërë të ditur se palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe nuk do të ketë rinovim.

“Jemi të bindur se kemi bërë një ofertë të mirë për lojtarin, por marrëveshja nuk është arritur”, tha Fassone pas takimit me Raiola-n. Pavarësisht dëshirës së Donnarumma-s për të qëndruar me kuqezinjtë, me përfundimin e sezonit të ardhshëm, ai do të jetë lojtarë i lirë dhe mundësia që të largohet nga Milani është më e madhe se kurrë më parë.

Duke qenë se kontrata skadon në 2018-ën atëhere Milani është i detyruar që ta shesë këtë verë, pasi vitin tjetër e humbet me parametra zero. Pas këtij lajmi shumë prej klubeve më në zë të Europës janë hedhur në sulm.

Real Madrid e Barcelona në Spanjë. Manchester United në Angli e Juventusi në Itali janë më të favorizuarit sepse disponojnë edhe paratë por edhe mundësinë për të plotësuar ambiciet sportive të portierit të talentuar.

Nga zbulimi tek fenomeni Donnarumma
“Ky është një fenomen, është i përzgjedhuri. Kam parë shumë pak lojtarë të tillë, e nëse më del dikush përpara syve si ky, do ta aktivizoja si titullar padiskutim”. Ky ishte përkufizimi i Sinisa Mihajlovic personi I parë që zbuloi talentin Donnarumma-s.

Trajneri serb që nisi aventurën e tij në pankinën e Milanit gjatë sezonit 2015-2016, kohë kur katërkëndëshin e mbronte spanjolli Diego Lopez, por Mihajlovic vendosi të aktivizonte si titullar fenomenin.

Momenti për Gianluigi Donnarumma, i cili ka qenë te të rinjtë e Milanit nga kategoria “Giovanissimi” në vitin 2013, për të kaluar më pas te “Primavera”, erdhi pikërisht pas një ndeshjeje Torino-Milan, gjatë së cilës Mihajloviç mbeti i pakënaqur nga Lopez.

Të dielën pasuese, Sinisa Mihajlovic i dha mundësinë të luante si titullar ndaj Sassuolos 16-vjeçarit Donnarumma. Ata që e kritikuan ishin të shumtë. “Po, a mos po rrezikon ta diegësh si lojtar duke rrezikuar kaq shumë”, thonin disa.

Ndeshja e parë ishte tejet normale dhe nuk mbeti aq shumë në kujtesë. Berardi do ta ndëshkonte me një gjuajtje me të majtën. Megjithatë, zgjedhja e Mihajloviç ishte bërë tashmë dhe, prej atëherë, performancat e çmendura të një djaloshi kaq të ri do të befasonin cilindo.

Si për reagimin e tij, ashtu edhe për hedhjet e jashtëzakonshme, që e kthyen atë në një garanci të kontestueshme në katërkëndëshin e Milanit. Dita e parë monstruoze do të vinte në “San Siro”, kundër Atalantës.

Ndeshja përfundoi 0-0, por vetëm për meritë të pritjeve të tij. Një javë më pas ndeshjet e çmendura do të bëheshin dy dhe nuk ishte një ndeshje dosido. Luhej në “Juventus Stadium” dhe, pavarësisht humbjes së kuqezinjve, i vetmi gëzim ishte pikërisht ai i ofruar nga portieri.

Edhe gjatë sezonit që lamë pas, impakti i portierit ishte vendimtar. Një pjesë e meritës për rikthimin në Europa League i përket atij. Pikët e siguruara prej tij, edhe pse nuk ishte një sulmues që të shpërthente portat kundërshtare, duket se janë të panumërta, por e sigurtë është se janë mbi 15.

Megjithatë, edhe gafat, ajo ndaj Pescarës më e rënda, nuk harrohen kollaj. Ndeshja simbol e tij, sigurisht ishte ajo në “Juventus Stadium”, kur Milani u bombardua për 97 minuta.

Pritjet e tij ishin të jashtëzakonshme, duke pritur edhe ato raste që konsideroheshin të pamundura me fluturimet e tij. Por doli nga fusha i mërzitur për penalltinë që iu akordua Juventusit në kohën shtesë. Më pas, po të njëjtës skuadër i hoqi nga duart titullin e Superkupës së Italisë, në ndeshjen e luajtur në Doha të Katarit në dhjetor.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave