Dorëzohet në kuvend kërkesa zyrtare për shkarkimin e presidentit Meta pas zhdekretimit të zgjedhjeve. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla akuzoi presidentin se ka shkelur Kushtetutën dhe ka humbur të drejtën për të mbajtur atë post.

Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit mëngjesin e sotëm, Balla tha se sot u depozitua në Parlament, kërkesa me firmat e 55 deputetëve për shkarkimin e Metës, nga 35 të nevojshme.

Më pas Balla ka renditur të gjithë argumentet dhe shkeljet që ka bërë presidenti Meta me dekretin për anulimin e zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ndër të tjera Balla ka thënë se Presidenti Meta po del në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Republikën Parlamentare dhe në këtë mënyrë ai e ka humbur të drejtën për të mbajtur përsëri postin që i është caktuar.

Në fund kreu i grupit Parlamentar të PS-së ka dhënë përfundimet që ka arritur mazhoranca duke thënë se kërkesa për shkarkimin e Metës do të kalojë në Kuvend dhe nëse merr miratimin  me votat e nevojshme, kërkesa do t'i kalojë për tu zbatuar Gjykatës Kushtetuese e cila do të bëjë edhe shkarkimin e Metës.


Kujtojmë se deri në këtë momente Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit për shkak të shkarkimeve të Vettingut, por procedurat janë gati dhe pritet që gjyqtarët e përzgjedhur ti nënshtrohen Vettingut dhe më pas të emërohen sipas porcedurave.  Pritet që Gjykata Kushtetues të krijohet brenda muajit Korrik.

( Kliko këtu ) Kërkesa e plotë e PS-së për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

( Kliko këtu ) Ja 55 deputetët që firmosën për shkarkimin e Metës

Pjesë nga deklarata e Ballës: 

Zoti Ilir Meta, e ka humbur të drejtën të qëndroje në atë zyrë me pëlqimin tonë.

Natyrisht që ne, socialistët, nuk i përkasim kulturës politike të arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit dhe do të ndjekim rigorozisht procedurën e parashikuar në rastin e shkarkimit Presidentit.

Përpara se sa t’i shkojë për votim Kuvendit, shkarkimi i zotit Ilir Meta nga detyra, do të vlerësohet nga një Komision i Posaçëm Hetimor.

Është e qartë që votimi i Kuvendit, në rast se propozimi për shkarkimin do të marre 2/3 e votave te deputeteve, pra 94 vota e lart, do t’i shkojë për vlerësim Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka përgjëgjësinë të thotë fjalën e fundit për shkarkimin e kreut të shtetit, pasi bën vlerësimin e arsyeve që e kanë detyruar Kuvendin të hedhë nje hap kaq të jashtëzakonshëm. 

Me këtë rast, i rikujtojmë zotit Ilir Meta kërkesën e bërë nga Kuvendi në drejtim të tij, përmes Rezolutës së miratuar javën e shkuar, lidhur me nevojën e reflektimit në funksion të detyrës së larte dhe të respektimit të Kushtetutës.

Kemi vënë re me keqardhje se ai nuk ka reflektuar, po ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë të padenjë dhe të papranueshme për institucionin e lartë që Presidenti përfaqëson.

Kuvendi natyrisht nuk intimidohet dot kurresesi nga askush, por i kujton zotit Ilir Meta se as ai, as ata që e braktisën Kuvendin duke djegur mandatet dhe pastaj tentuan ta djegin me flakadanët e dëshpërimit të tyre, s’kanë asgje tjetër në dore përveç nivelit të dinjitetit të tyre. 

Për sa kohë është ende President, zoti Ilir Meta duhet të mos na turperojë të gjithëve, duke e ulur nivelin e presidencës së tij nën kufirin minimal të etikës shtetërore, sa herë hap gojën.