110 vjetori i Ditës së Pavarësisë, Berisha uron miqtë e tij në ‘Tik Tok’: Sot jemi të lirë por Rama po i përzë të rinjtë

28 Nëntor 2022, 10:43 | Përditesimi i fundit: 2022-11-28 10:51:31

110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Sali Berisha zgjodhi ta urojë në ‘Tik Tok’ me miqtë e tij të rinj në këtë aplikacion.

“Të dashur miqtë e mi të Tik Tok-ut, me këtë mesazh dëshiroj t’ju uroj nga zemra Gëzuar Ditën e Flamurit! Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë!  Të shpreh nderimin tim më të thellë, për Ismail Qemalin dhe për të gjithë ata burra dhe gra që sakrifikuan me jetë, me penë dhe ne të gjitha format bënë të mundur pavarësinë e këtij vendi”, i nis urimin e tij Berisha.

Ai thotë se Pavarësia e Shqipërisë është festa e të gjitha festave të shqiptarëve.

“Pa pavarësinë e Shqipërisë, ne do të ishim vidhisur në honet apo mjegullnajat e Ballkanit. Lavdi Zotit, sot ne jemi të lirë! Në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që ndodhemi”, vijon Berisha.

Por ish-Kryeministri i ka disa akuzua për Ramën dhe qeverinë edhe në këtë urim.

“Por sot, ne kemi një problem shumë të madh, këtë regjim i cili, me politikat që ndjek, me antireformat që realizon, me plaçkitjen që i bën pasurisë kombëtare dhe fondeve publike, po përze shqiptarët!  Po përze rininë e kombit, sa asnjë regjim tjetër në histori. Ndaj dhe kjo ditë është një thirrje për çdo të ri të këtij vendi, për çdo shqiptar të marrë përgjegjësitë e tij në mënyrë që Shqipërinë, këtë tokë të begatë, këtë vend të bekuar ta shndërrojmë në kopshtin më të bukur të ëndrrave tona në shtëpinë e së ardhmes sonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti ju bekoftë ju! Faleminderit shumë”, shkruan ndër të tjera Berisha.