Kryeministri Edi Rama në hyrje të fjalës së tij në ceremoninë e 32 vjetorit të PS-së në Pallatin e Kongreseve, tha se ditën e sotme socialistët e festojnë me fitoren e 54 bashkive në zgjedhjet vendore, fitore që ai e konsideroi si më ‘spektakolaren’ në 32 vite.
Ai tha se edhe në zgjedhjet më të fundit, shqiptarët në të gjithë vendin vendosën të ecin para duke i lënë Berishën dhe Metën prapa, duke i konsideruar sipas tij ‘hije të së shkuarës’.
“32 vjet më parë mori jetë PS, sot e kremtojmë këtë ditë të shënuar të familjes sonë politike me fitoren më spektakolare të këtyre 32 viteve ku shqiptarët nga dhanë mandatin për të qeverisur në 54 bashki dhe për t’u kujdesur për më shumë se 95% të banorëve. Fjala ‘faleminderit’ nuk do jetë kurrë e mjaftueshme për besimin që vajzat dhe djemtë e këtij vendi na dhanë. Që nga Shkodra demokratike deri tek Vlora socialiste. Nuk është dot mjaft i gjithë turi i mirënjohjes në tërë Shqipërinë, ku tani ka mbetur vetëm qershia mbi tortë, Tropoja, bashkia ku na mjaftuan vetëm 4 vjet për të bërë atë që të tjerët nuk bëjnë dot në 32 vite. Tropojanët votuan për të mirën e tyre, për pastërtinë e qetësinë e zhvillimin në komunitetin e tyre. Votuan për një Tropojë të rilindur që do vazhdojë vetëm përpara përmes agroturizmit. Kështu votuan edhe shkodranët, dibranët e kuksjanët që vendosën të ecin para duke i lënë mbrapa hijet kërcënuese të së shkuarës”- tha Rama.