A ka shqiptarë të prekur nga koronavirus në Britani? Flet specialisti i Shëndetit Publik në Londër: Masat e marra po japin efekt

26 Mars 2020, 12:06 | Përditesimi i fundit: 2020-03-26 12:09:40

Në një lidhje skype nga Londra, Dr.Laidon Shapo,Specialist i Shëndetit Publik atje (Head of programme for health & social care, Londer) ka treguar si po përjetohet koronavirus në Britani, për shifrat e të prekurve dhe masat e marra. 

Shapo ka treguar se kurba epidemike në Londër është në rritje, ndërkohë që njerëzve u bëhet vazhdimisht thirrje që të qëndrojnë në shtëpi. 

Po jap një panoramë të shkurtër. Kurba epidemike është në rritje. Rastet me koronavirus në Britani janë shtuar. Kemi më shumë se 9000 raste. Edhe niveli i vdekshmërisë është në rritje. Brenda një periudhe të shkurtër ka një rritje të dukshme. Megjithatë në 24 orët e fundit ka rënie të vdekmshërisë. Masat e përforcuara kanë filluar të japin shenja. Ka vende që janë më keq se ne. Flamurin në dorë e ka marrë Spanja." shprehet specialisti i Shëndetit Publik në Londër. 

Ndërkohë që Britania është vetëm një hap larg shtetrrethimit, duke ndjekur shembullin e Francës, Shapo thotë se po ndërtohet edhe një spital i ri.

"Bëhet fjalë për një përzierje të gripit stinor me ato të Covid 19. Njerezit janë adresuar të futen në shtëpi kur kanë kollë e temperaturë, kur agravohet telefonojnë numrat e posaçëm të cilët i këshillojnë, po ndërtohet spital i ri, një nga masat që është marrë është rritja e ventilatorëve, diskutimet bëhen online, unë kam mbi një javë që punoj nga shtëpia. Një test i ri anti gen do të dalë për të kuptuar cfarë imuniteti i ri do të lihet pas Covid për një panoramë të përgjithshme të Covid." 

I pyetur  se nëse ka shqiptarë të infektuar nga koronavirus në Britaninë e Madhe, specialisti i Shëndetit Publik thotë se nuk ka të dhëna për këtë.