Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjevrekë me susam dhe Trileçe me karamel. E ftuar në këndin e kuzhinës amvisa korçare Xheni Fundo, e cila jeton prej vitesh në Amerikë dhe është tepër virale në rrjetet sociale. Ajo përgatiti Kungulleshka role në petë me gjizë dhe Patëllxhanë të mbushur me djathë.
Të kesh një fytyrë të pastër, pa njolla, akne, pore të zmadhura dhe mbi të gjitha pa rrudha dhe elastike e plot jetë është ajo që do të dëshironte çdo femër. Për ta arritur këtë, do të ishit të gatshme të paguanit shifra nga më të shtrenjtat, por zgjidhja është shumë më e thjeshtë nga ç’mendoni dhe mbi të gjitha më ekonomike, mjafton t’i hidhni një sy dollapit tuaj të kuzhinës dhe të ktheni mirëmbajtjen e lëkurës tuaj në një rutinë të përditshme. Në rubrikën ‘Beje vetë’ në “Rreze Dielli”, amvisa virale që jeton në Amerikë, Xheni Fundo, na përgatiti 3 maska fantastike me përbërës që të gjithë i kemi në shtëpi: Maskë koreane tepër virale në Amerikë për lëkurë si bebe/ Botoks natyral për fytyrë pa rrudha dhe një krem për zbardhjen e ngjyrës së errët në zonën poshtë sqetullave.
Të kesh një rutinë të rregullt çdo ditë për higjienën intime është padyshim shumë e rëndësishme për të parandaluar irritimet, infeksionet apo erën e pakëndshme. Tani në sezonin e verës sigurisht që bashkë me çantën e plazhit na duhen disa produkte për t’u kujdesur për veten tonë meqënëse dhe infeksionet mykotike apo bakteriale dhe irritimet e lëkurës janë më të përhapura. Sa i rëndësishëm është kujdesi dhe higjiena intime, sa shpesh duhet të lahemi në këto temperatura të larta, si të veprojmë me erën e djersës? Diskutojmë në studion e “Rreze Dielli” me farmacisten Arba Gramo, e cila na jep disa këshilla tepër të vlefshme si dhe rekomandon produktet më të mira që duhet të përdorim dhe gabimet që një pjesë e vajzave bëjnë.
Më 20 qershor 2024 ka përfunduar ndërtimi i planetariumit të parë në Kosovë që kishte nisur gati një vit më parë. Pas një pune intensive, godinës së re dhe teleskopit gjigand, ju prenë shiritat. Një nga iniciatorët e kësaj nisme të bukur, Milaim Rushiti, profesor i astronomisë, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” tregon se Observatori dhe Planetariumi do të jenë në shërbim të zhvillimit të aktiviteteve mësimore dhe jashtë-mësimore të nxënësve dhe të rinjve nga gjithë territori i Republikës së Kosovës. Në këtë observator do të ketë aktivitete të shumta si vrojtimi i diellit me teleskop, shfaqje shkencore në planetarium, vrojtim i qiellit gjatë natës, etj...