“Ajnshtajni i kohëve moderne”, 8 vjeçari shqiptar i pari në botë për aritmetikë mendore

1 Dhjetor 2023, 13:22

Gjeniu 8 vjeçar nga Kosova habit të gjithë, del i pari për të pestin vit rradhazi në garën ndërkombëtare të Aritmetikës Mendore të organizuar nga Brainobrain të mbajtur në Dubai. Lum Rrahmani ka marrë pjesë edhe katër herë të tjera në këtë konkurs, ku u përfaqësuan 42 shtete me dy mijë fëmijë të grupmoshave të ndryshme dhe ai doli sërish më i miri. Në një lidhje skype për emisionin “Rreze Dielli” me nënën e tij, djaloshi tha se kjo garë ishte më e vështirë se të tjerat, pasi brenda 3 minutave ai duhet të zgjidhte 48 ushtrime të vështira matematikore. Vlerësimi për këtë konkurs matej me saktësinë dhe shpejtësinë e zgjidhjes së ushtrimeve.

Nëna e Lumit, Lindita Rrahmani thotë se djali i saj nga mosha 2 vjeçare ka shfaqur një nivel të lartë të inteligjencës, jo të zakonshme për fëmijët e moshës së tij, duke lexuar libra e duke bërë llogari të një fëmije më të rritur. Nga ky moment, prindërit u konsultuan me psikologë për të testuar e vënë në pah këtë inteligjencë.  Matematika nuk është gjëja e vetme që i pëlqen nxënësit të klasës së katërt, pasi ai interesohet edhe për planetet, madje i pëlqen edhe të shikojë e të luajë futboll.