Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me kunguj dhe patate / Qofte me presh / Supë peshku.
Pleqëria nuk duhet të jetë sinonim i vetmisë, izolimit apo i largimit nga jeta aktive. Me një koncept të ri, të sjellë për herë të parë në Shqipëri, Nora Resort vjen si një alternativë për personat mbi 65 vjeç, duke ofruar shumë më tepër sesa një rezidencë për të moshuarit. Një hapësirë ku ndërthuren kujdesi profesional, shërbimi mjekësor 24 orë, aktivitetet sociale, natyra dhe mirëqenia. Por ajo që e bën këtë vend të veçantë janë mbi të gjitha njerëzit dhe historitë e tyre. Elda Betaj na njeh me filozofinë e këtij koncepti, duke theksuar se Nora Resort nuk është një azil, por një mënyrë e re për t’i dhënë dinjitet dhe cilësi jetës në moshën e tretë.
Në kuzhinë takojmë Elidën, e cila çdo ditë gatuan për banorët, duke e kthyer ushqimin në një tjetër formë kujdesi, dashurie dhe respekti. Njohim edhe një banor që ka lënë Zvicrën për të kaluar vitet e pleqërisë në Shqipëri. Klima, njerëzit dhe ushqimi janë disa nga arsyet që e kanë bërë të ndihet mirë në këtë rezidencë. Mes historive më prekëse është ajo e Zyber dhe Fitnete Huqit, një çifti që prej 40 vitesh nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Ata rrëfejnë dashurinë, jetën e përbashkët dhe pengun që kanë mbajtur në zemër: Zoti nuk u dha mundësinë të bëheshin prindër. Një tjetër rrëfim vjen nga një mjek kardiolog, i cili ndan pasionin për mjekësinë dhe sportin, eksperiencën e tij në Nora Resort dhe një mesazh të veçantë për brezin e ri. Ndërsa një botanist, me një jetë të lidhur ngushtë me natyrën dhe bimët, na tregon se si i kalon ditët mes miqve, bisedave dhe shoqërisë së re që ka gjetur në këtë rezidencë. Sepse mosha e tretë nuk është fundi i një historie. Është një kapitull tjetër i jetës, që meriton të jetohet me dashuri, përkujdesje dhe dinjitet.




















