Arti i krijimit të mozaikut, rekordmeni i 11 çmimeve Guinness Saimir Strati vazhdon traditën me fëmijë

1 Dhjetor 2023, 12:42

Artisti i 11 rekordeve të çertifikuara Guinness,  Saimir Strati, ka çelur së fundmi një studio arti të krijimit të mozaikëve, pjesë e së cilës janë fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Përmes saj, synohet vazhdimi i traditës 3500 vjeçare i krijimit të mozaikëve, e gjithashtu fëmijët krijojnë vepra arti nën kujdesin e tij dhe të bashkëshortes Aurora Strati. Nën kujdesin dhe përkushtimin e çiftit Strati, fëmijët shprehin potencialin e tyre, duke qëndruar larg teknologjisë e duke kaluar kohë argëtuese, krijuese, dhe mbi të gjitha duke skalitur durimin dhe përqëndrimin.

Duke folur për 11 rekordet botërore Guinness, Strati u shpreh i zhgënjyer teksa u pyet për vlerësimin nga institucionet shqiptare. Ekspozita e tij e fundit në Pejë, titulluar "Patrioti", përmblodhi punime të gjitha në mozaik me tematika kryesisht me motivet shqiptare, nga natyra, nga legjendat, si edhe ndjeshmëria e folkut. Me shijen e veçantë, thuajse unike dhe syrin e artistit të formuar prej mbi dy dekadash, Saimir Strati ka mënyrën e tij të të parit të artit, që e dallon qartësisht nga të tjerët!