Basha dhe Kryemadhi firmosin marrëveshjen me 13 pika për koalicion paszgjedhor, shkrijnë edhe sloganet

1 Mars 2021, 14:02

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe kreu i PD Lulzim Basha firmosin marrëveshjen me sloganin 'Shqipëria, shtëpia që fiton', ku përcaktohen piketat mbi të cilat do vijojë koalicioni mes tyre pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Gazetarja Danjela Maloku raporton se kjo marrëveshje përmban 13 pika, ku kryesorja është nxjerrja e vendit nga kriza. Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit, siç nënvizohet në marrëveshje, do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.

Ndër 13 pikat e kësaj marrëveshje mes PD dhe LSI, janë plani për pandeminë COVID-19, për rindërtimin e banesave, për rikthimin e pronave për komunitetet fetare, plan kundër krimit të organizuar, integrimin e rolit të gruas në vendimmarrje, punësimi, emigrimi dhe anëtarësimi në BE.

Kjo marrëveshje mes tyre vjen pak ditë pas asaj që Basha firmosi me 12 aleatët për të shkuar në zgjedhje bashkë duke formuar koalicionin “Aleanca për ndryshim”. Negociatat për këtë koalicion kanë qenë të vështira dhe intensive gjatë datës 24 shkurt, ndërsa marrëveshja është dorëzuar në KQZ në orën 11:40 të mbrëmjes, pak para se të skadonte afatin, duke marrë edhe firmën e FRD, çka solli një ditë më pas dhe dorëheqjen e kryetarit të saj Bamir Topi.  Ky i fundit dha dorëheqjen pasi ishte nënkryetari i FRD Sali Shehu i cili ka firmosur marrëveshjen me Bashën pa vullnetin e tij.

Ndonëse LSI ka marrë vendimin për të shkuar e vetme në zgjedhje, ditën kur Basha përpiloi marrëveshjen, Report Tv zbuloi ekskluzivisht një takim të tij me Kryemadhin, ku pavarësisht puthjeve e përqafimeve mes tyre, dy partitë të spektrit të kundër politik, nuk u bënë dot bashkë në një koalicion, por vetëm në Dibër e Kukës, ku LSI do të ketë kandidatë nën logon e PD-së për të marrë mandate.