“Bëmë baba të të ngjaj”, Uendi Mancaku nën gjurmët e të atit Etmond dhe Uendi Mancaku

23 Nëntor 2018, 14:28 | Përditesimi i fundit: 2018-11-26 07:34:44

E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Wendi foli për pjesëmarrjen e saj në “Kënga Magjike” ku kënga e saj “Ëndrra ime” u prit mjaft mirë nga juria dhe publiku të djelën e kaluar. E pyetur nëse do të pranonte të zhvishej nëpër klipe siç bëjnë shumë këngëtare, Wendi tha se nuk është ky mesazhi që kërkon të përcjellë tek publiku.

Babi ka mendim negativ, pra nuk bie dakord. Unë nuk kam pse, nuk e ndjej të nevojshme që të tregoj trupin për të marrë vëmendjen e njerëzve sepse kam zërin. Dua t'i prek njerëzit me atë që bëj, jo me mënyrën se si dukem. Kjo është ajo që dua të tregoj, me performancën time, apo gjithçka po bëj unë. Ky është mesazhi që dua të përcjell. Nuk është se gjykoj të tjerët që dalin të zhveshur aspak, është zgjedhja e tyre, nëse duan të zhvishen, le të zhvishen.

Wendi Mancaku

I ftuar në studion e “Rreze Dielli” ishte edhe babai i Wendit, kantautori Etmond Mancaku i cili e tha qartë se nuk është dakord që vajza e tij ta ekzagjerojë me zhveshjen, madje duke e paralajmëruar të bijën të ketë kujdes se edhe shumë këngëtare të tjera kanë bërë deklarata të ngjashme përpara se të bëheshin të famshme. Edhe pse ai e pranoi se sot marrin më shumë klikime këngëtaret që zhvishen, Mancaku solli shembuj të këngëtareve me famë botërore që vishen shumë thjeshtë si Celine Dion apo Lara Fabian.

Mendohu para se të flasësh, sepse kështu kanë thënë edhe disa këngëtare të tjera që nuk zhvishen dhe ka ndodhur e kundërta. Për në skenë mbase dakord por që të fitosh disa klikime më tepër, s’më duket e pranueshme, por ky është mendimi im. Wendi është e rritur dhe ka pavarësinë e saj, por çdo baba do të donte që fëmija i tij të dilte në mënyrë sa më korrekte. Unë i thashë, shih Lara Fabian dhe Celine Dion që kanë alament zëri, e prapë kanë një veshje të thjeshtë dhe me hijeshi.

Etmond Mancaku, Kantautor