Berberi i pazakontë nga Rrogozhina në Verona /qeth me zjarr, sy mbyllur dhe 3 gërshërë në një kohë

3 Mars 2023, 12:33

Në një lidhje skype nga Sheshi Bra i Veronës me berberin më të pazakontë shqiptar, Azem Sheshi. Ai nuk është si berberët e tjerë, jo për faktin se jeton në Verona, por për mënyrën e pazakontë që qeth, duke përdorur zjarrin, me sy mbyllur apo me tre gërshërë.

”Unë jam nga fshati Kalush i Rogozhinës dhe prej vitesh ushtroj profesionin e berberit, por në një mënyrë të pazakontë” e nis rrëfimim kështu Azemi. “Unë i pres flokët klientëve duke përdorur zjarrin, me tre gërshërë apo me sy mbyllur.  Te gjithë ata që më ndjekin në rrjetë sociale apo në vendin e punës, habiten, por kur shohin rezultatet janë të befasuar nga puna ime”. Të gjithë suksesin e tij, ai ia dedikon familjes, që sipas tij ka qenë forca e tij më e madhe. ”Për herë të parë nisa punë kur isha vetëm 16 vjeç, në një sallon të vogël në Rrogozhinë, ndërsa sot jetoj në Verona, qytet që më ka pranuar dhe jam përshtatur”. Ai është bërë shumë popullor në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, pa harruar dhe tik-tokun ku ka një numër të madh ndjekësish që e admirojnë punën e tij.