Brushtull, gatim tradicional me miell misri, spinaq dhe djathë nga zonja Albana

23 Maj, 12:13

Brushtull

Përbërësit:

  • 500 gr miell misri
  • 1/2 kg spinaq
  • 1 tufëz kopër
  • 1 tufë me qepë të njoma
  • 1 tufëz majdanoz
  • 1 tufëz dhjozmë
  • 3-4 hudhra të njoma
  • 3 kokrra vezë
  • 300 gr djathë të bardhë
  • 1 filxhan vaj ulliri
  • 3 lgj gjalpë të tretur
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Pastrojmë spinaqin nga gjethet e dëmtuara, e lajmë mirë me ujë të bollshëm dhe më pas e shtypim fort. Shtojmë qepët e hudhrat e njoma të grira hollë, dhjozmën, koprën, majdanozin të prerë imët si dhe vajin e ullirit. Më pas, rrahim vezët në një pjatë dhe i hedhin brenda. Shtojmë djathin e thërrmuar, gjalpin e tretur që të lidhet. Mund të shtojmë edhe pak kripë e pak piper nëse duam. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit. Hedhim miellin e misrit ngadalë ngadalë duke e përzier në mënyrë që të ngjeshen të gjitha bashkë dhe të mos na bëhet kokrra kokrra. Në fund hedhim ujë të vakët derisa të formohet një brumë i lidhur si top. Njomim duart me ujë dhe hapim brumin në tepsinë e lyer më parë me vaj ulliri. I thërrmojmë sipër djathë dhe e lyejmë me vaj. E vendosim të piqet në furrë në 180 gradë.