Burani me spinaq, sekreti i shijes unike nga zonja Albana

23 Dhjetor, 12:53

Burani me spinaq

Përbërësit:

  • 1 tufë spinaq
  • 1 thelpi hudhër
  • 1 qepë të thatë
  • 3-4 qepë të njoma
  • 3 lugë gjelle oriz
  • 1/2 gotë uji
  • 4 kokrra vezë
  • Kripë, piper të zi
  • Arrë moskat
  • Kopër, majdanoz
  • Pak nenexhik

Përgatitja:

Lajmë spinaqin, e lëmë të kullojë mirë dhe më pas e presim trashë. Në një tigan ngrohim 4 lugë gjelle vaj ulliri dhe vendosim 1 thelpi hudhër për të aromatizuar vajin. Shtojmë qepën e thatë të grirë hollë dhe e lëmë sa të zbutet pak, shtojmë qepët e njoma të prera në unaza, orizin dhe i përziejmë së bashku derisa qepa të ulë volumin. Shtojmë pak ujë dhe e lëmë orizin të ziejë për 8 minuta së bashku me qepën. Shtojmë dhe spinaqin në tigan. E përziejmë me kujdes dhe vendosim kapakun për 2-3 minuta. Në fund rregullojmë shijen me kripë, piper, kopër, majdanoz dhe nenexhik. I përziejmë dhe më pas thyejmë vezët dhe i vendosim mbi spinaq. I spërkasim vezët me pak kripë, ulim temperaturën, vendosim kapakun dhe i lëmë vezët të mpiksen.