Dhallanik me shtresa, super receta e traditës nga zonja Albana

7 Nëntor, 11:40 | Përditesimi: 7 Nëntor, 11:40

Dhallanik me shtresa

Përbërësit:

  • 500 gr miell gruri
  • 1 litër dhallë
  • 2 filxhanë kafeje yndyrë
  • 100 gr djathë i thërrmuar
  • 1 vezë
  • 1 copë gjalpë i ngrirë
  • 1 lugë çaji sodë
  • 1 lugë kafeje kripë
  • 1 lugë kafeje sheqer
  • Pak piper i zi

Përgatitja:

Në një enë hedhim vezën, dhallën, vajin, kripën dhe sheqerin. I rrahim mirë me telin e ëmbëlsirave. Shtojmë përbërësit e thatë: miellin, sodën dhe piperin, duke i përzier derisa të bëhet një brumë i butë dhe homogjen. Lyejmë me gjalpë një tepsi dhe hedhim tre garuzhde brumë, e hapim mirë në të gjithë sipërfaqen e tepsisë dhe e vendosim për t'u pjekur në furrë të parangrohur për 5 minuta. E nxjerrim nga furra, e lyejmë përsipër me copën e gjalpit të ngrirë dhe hedhim përsëri tre garuzhde brumë. E vendosim sërish në furrë për 5 minuta, por rezistencën e poshtme të furrës duhet ta shuajmë (kështu do të piqet vetëm shtresa e sipërme). Veprojmë përsëri me të njëjtën mënyrë, sa të mbarohet i gjithë brumi. Në përfundim, e heqim nga furra dhe e lyejmë me gjalpë. E lëmë pak që të vaket dhe e presim për ta shërbyer me pak djathë të bardhë sipas dëshirës.

MC/Shqiptarja.com