Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Patëllxhanë furre në petë / Gjellë tigani me domate dhe speca / Kek me pjeshkë.
Në skype nga Italia me sipërmarrësin shqiptar Gjon Melyshi, i cili me lahutën të trashëguar brez pas brezi në familjen e tij, performon mes turistëve në sheshin e famshëm të Milanos ‘Piazza del Duomo’. Gjon Preng Melyshi është inxhinier, jurist dhe sipërmarrës në Itali. Pasi emigroi në Itali pas viteve ‘90, krijoi në Milano kompaninë “Impresa Edile Gjon Melyshi”. Në këtë ndërmarrje kanë punuar ndër vite qindra punëtorë, pjesa më e madhe shqiptarë, por edhe italian e të kombësive të tjera. Gjoni gjatë viteve të emigrimit ka mbajtur gjithmonë lidhje të ngushta me vendlindjen, lahuta është pjesë e pandarë e tij, ka organizuar me shumë sukses aktivitete të ndryshme për promovimin e vlerave historike e kulturore shqiptare në Itali.
Niki dhe Albana demostrojnë disa këshilla praktike për të gjitha amvisat: Si të ruajmë të freskëta bananet, domatet, qepët e njoma apo sallatën jeshile me disa truke fare të thjeshta / Si të pastrojmë hekurin në pak minuta me kripë të trashë dhe letër pjekje, një metodë tepër praktike dhe pa kosto.
Shqipëria e Kosova bëhen bashkë në organizimin e Kampionatit Kombëtar të ngjitjes sportive. Aktiviteti u mbajt në ‘Eco Park’ Durrës, ku morën pjesë mbi 80 sportistë. Në studion e “Rreze Dielli” Artur Guni, President i Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit dhe Fjona Rushiti, Sportiste/Alpiniste, tregojnë më shumë për këtë aktivitet ku morën pjesë sportistë nga Shqipëria dhe Kosova. Presidenti i Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor Artur Guni, i bëri thirrje institucioneve të koordinohen më mirë dhe të marrin masa për të ndryshuar situatën dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit malor në vend. Ai gjithashtu renditi disa prej destinacioneve më të kërkuara malore prej turistëve në vendin tonë, teksa u ndal tek aktivitetet që do të zhvillohen gjatë vitit mes sportistëve.