Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Dhjetor 2025 – Receta/ Demenca shenjat: Parandalimi & Trajtimi

1 Dhjetor, 15:42 | Përditesimi: 1 Dhjetor, 15:42

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Embëlsirë me krem vanilje, banane dhe çokollatë / Trahana me dhjamushka dhe salcë speci.

A keni vënë re ndonjë ndryshim të papritur në kujtesë te vetja apo tek një i afërm? A po harrohen emra, ngjarje ose detyra të thjeshta të përditshme? A keni menduar ndonjëherë nëse këto janë thjesht shenja lodhjeje, apo mund të tregojnë diçka më serioze, si demenca? Çfarë e shkakton këtë sëmundje dhe cilat janë shenjat e para që nuk duhet t’i injorojmë? Dhe më e rëndësishmja: a mund të ndërhyjmë për ta ngadalësuar? Në lidhje me këtë problematikë kaq delikate, e cila po rritet me ritme shqetësuese në mbarë botën dhe po prek gjithnjë e më shumë familje, u diskutua në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja. Ky fenomen po bëhet një nga sfidat më serioze të shëndetit, duke ndikuar thellë në jetën e të moshuarve dhe kujdestarëve të tyre, prandaj ndërgjegjësimi i hershëm dhe njohja e shenjave është më i rëndësishëm se kurrë.

“Demenca është një nga çrregullimet më të përhapura të shëndetit mendor tek të moshuarit, e cila shfaqet si humbje graduale e funksioneve mendore. Ajo prek aftësinë për të menduar, për të mbajtur mend, për t’u përqendruar dhe për të kryer veprime të përditshme. Me kalimin e kohës, pacienti humbet orientimin, ka vështirësi në të folur, ndryshime të papritura humori, çrregullime gjumi dhe vështirësi në kujdesin për veten. Demenca ndodh si pasojë e dëmtimit të qelizave të trurit, të cilat vdesin në mënyrë progresive, duke prishur ekuilibrin e funksioneve mendore”, thekson Merja, i cili tregon faktorët që nxisin rrezikun e demencës dhe sesi ushqimi dhe disa trajtime alternative ndikojnë pozitivisht në funksionet e trurit dhe në ngadalësimin e saj.

MC/Shqiptarja.com