Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Mish viçi në qumësht me presh/ Supë milaneze/ Papare e aromatizuar.
Më në fund libri i Kamala Harris, “Të vërtetat që mbartim” vjen edhe në gjuhën shqipe. Parathënia e këtij botimi është realizuar nga Linda Rama, duke ngjallur në këtë mënyrë një kërshëri edhe më të madhe të lexuesit për ta patur në duar këtë botim të Shtëpisë botuese ‘Mediaprint’. “Të vërtetat që mbartim” rrëfen historinë frymëzuese të një gruaje mbi supet e së cilës qëndron shpresa e një kombi të tërë. Kush është kjo grua që do të ndihmojë në formësimin e të ardhmes së Amerikës? Çfarë e nxit atë? Ajo është zëvendëspresidentja e parë grua, por edhe me ngjyrë e SHBA-së. Tanimë, Kamala Harris është edhe kandidate për presidente. Në këtë libër, ajo tregon udhëtimin e saj të pakrahasueshëm me të tjerë si bijë e një emigranteje indiane dhe një Xhamajkani, e cila ia doli të bëhej prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, madje edhe si paditëse e kishte parësore drejtësinë sociale. Gjatë kohës së krizës, ajo fitoi betejën me bankat dhe bizneset e mëdha dhe mbrojti interesat e qytetarëve të thjeshtë. Luftoi racizmin duke përforcuar ligjin dhe në mënyrë të vazhdueshme shtyu përpara reformat e sistemit të drejtësisë. “Të vërtetat që mbartim” është një shkollë më vete për zgjidhjen e problemeve, për udhëheqjen në kohë krizash dhe menaxhimin e këtyre krizave. Zëvendëspresidentja Kamala Harris, një nga lideret politike më frymëzuese, na paraqet në formë dinamike sfidat e mëdha me të cilat është përballur, urtësitë dhe njohuritë e fituara nga vështirësitë e hasura në karrierën e saj, si dhe na prezanton me shembujt që e kanë inspiruar më shumë në jetë.
Ata janë të apasionuar pas kulinarisë, historisë, modës, por dhe pëlqejnë të eksplorojnë kultura të ndryshme në botë. Çifti nga Kosta Rika këto ditë ndodhen në Shqipëri dhe me shumë kënaqësi kanë pranuar ftesën e "Rreze Dielli" për të ndarë eksperiencën e tyre gjatë një udhëtimi disa javor në Europë. Marcos Patterson Ulloa është Chef dhe menaxher i dy restoranteve, ndërsa Shirley Dittel Meza është kuratore imazhi si dhe ka një sipërmarrje për veshje dhe aksesorë për femra. Arsyeja e ardhjes në Shqipëri lidhet kryesisht me punën e tyre, pasi Marcos kërkon të zbulojë dhe provojë receta të vendit me idenë për t'i përshtatur më pas në restorantet e tij, teksa Shirley dëshiron të njohë tendencat e modës së veshjeve këtu në Shqipëri, por dhe në vende të tjera të Europës si Spanjë, Itali e Francë. Në studion e "Rreze Dielli" ata shoqërohen nga Marlise Sanches Torres, mikesha e tyre e cila është nuse në Tiranë në familjen e Mitro Çelës. Marcos e Shirley në Shqipëri kanë vizituar Tiranën, Durrësin, Krujën e Beratin dhe shprehen se janë tepër të impresionuar nga mikpritja shqiptare dhe gatimet tradicionale, madje me plot gojën thonë se këtu janë ndjerë më mirë se në çdo vend tjetër.