Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Prill 2024 – Receta/ Horoskopi javor nga Jorgo Pulla / Alergjitë e syve, kura popullore /Studentët kosovarë, sukses historik

1 Prill, 16:39

Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qofte orizi me patate / Vezë me djathë dhe speca / Sallatë me misër.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për javën e parë të muajit Prill (1 -7 prill) për të gjitha shenjat e zodiakut duke bërë një renditje nga vendi i dymbëdhjetë në vendin e parë. Është një javë me shumë ndikime të forta planetare për të gjitha shenjat, ku vendime të rëndësishme do të merren si në fushën ekonomike, profesionale ashtu dhe në atë shpirtërore.

Jemi në stinën e pranverës, në stinën e ndërrimit të gjakut, në një periudhë ku shumë njerëz ankohen për alergjinë. Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti" ndalemi pikërisht në alergjitë e syrit. Alergjitë e syve janë reaksione alergjike të sistemit imunitar ndaj lëndëve të huaja të tilla si poleni, myku dhe pluhuri, qimet e kafshëve, acarues të mjedisit, alergjenë të tjerë, por dhe infeksionet virusale dhe bakteriale. Në studion e "Rreze Dielli" me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë së pari si të shmangim shfaqjen e alergjive të syrit dhe si t'i mbrojmë sytë nga alergjitë. Gjithashtu tregojmë karakteristikat dhe simptomat që shfaq alergjia e syve në dallim nga infeksionet si dhe trajtimet bimore më të mira për të luftuar këtë alergji.

Ekipi juridik i Universitetit të Prishtinës, u rendit në 3-shen më të mirë në botë, mes 364 universiteteve duke lënë pas Harvard, Oxford apo Cambridge, në garën më prestigjoze të drejtësisë! Studentët kosovarë të Fakultetit Juridik në Prishtinës kanë shënuar një sukses historik! Ata janë vlerësuar së fundmi si ndër më të mirët në botë, mes shumë universiteteve të njohur, në garën botërore “Willem C Vis International Arbitration Moot”, eventi më i rëndësishëm akademik në nivele elitare në fushën ligjore. Nga 364 universitete në botë, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë arritur të renditen të tretët, ndërsa lajmin nuk ka nguruar t'a postojë me krenari, në rrjetet e saj sociale dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Në studion e “Rreze Dielli” në një lidhje skype nga Prishtina, Donikë Qerimi, Profesoreshë e Fakultetit të Drejtësisë dhe Morea Pula, studente e Universitetit të Prishtinës shprehin emocionet dhe përjetimet e pafundme të këtij suksesi si dhe tregojnë sfidat që i presin në të ardhmen.