Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petë me perime të pjekura dhe salcë aromatike / Qofte me mish viçi / Pure me patate.
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të ndërtojnë rrugën e tyre në sipërmarrje, në studio vjen një histori që dëshmon se mosha nuk është pengesë për të ndjekur ambiciet. Rei Canka, gjimnazist dhe themelues i kompanisë "Hover", rrëfen rrugëtimin e tij nga punët e para si kamarier dhe në aeroport, deri te krijimi i një startup-i të fokusuar në zhvillimin personal dhe teknologji. Ai flet për pasionin ndaj marketingut, rëndësinë e investimit te vetja dhe disiplinën që, sipas tij, ka qenë çelësi i çdo arritjeje. Rei prezanton edhe shpikjen e tij më të re – një unazë inteligjente që monitoron të dhënat e trupit, si pjesë e vizionit për të bashkuar teknologjinë me mirëqenien. Një bisedë frymëzuese për pasionet, sfidat, transformimin personal dhe guximin për të ndërtuar të ardhmen që në moshë të re.
Në rubrikën "Bëje Vetë", Niki dhe Stela rikthehen me dy receta natyrale, të thjeshta dhe ekonomike për kujdesin personal, të përgatitura me përbërës që i gjeni lehtësisht në shtëpi. Fillimisht, ato tregojnë se si të përgatisni spërkatës natyralë për fytyrën dhe flokët me ujë rozmarine, trëndafili, karafili dhe orizi, për një rutinë të freskët dhe plot shkëlqim. Më pas, vajzat ndajnë edhe recetën e një kremi zbutës për thembrat e plasaritura, ideal për t'u rikthyer butësinë dhe kujdesin këmbëve. Dy ide praktike që mund t'i provoni lehtësisht në shtëpi.




















