Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe me kos dhe spinaq / Kërpudha të mbushura me djathë dhe pançetë / Supë me petka.
Me mjeken neuropediatre Migena Kika flasim për hiperleksinë, si ta dallojmë këtë sindromë tek fëmijët që mësojnë të lexojnë pa mbushur akoma 5 vjeç? Hiperleksia është një sindromë me dy karakteristika kryesore: nga njëra anë, fëmija ka një aftësi të parakohshme për të lexuar, dhe nga ana tjetër, paraqet disa vështirësi në të kuptuarit dhe përdorimin e gjuhës verbale, gjë që shkakton probleme në ndërveprimet shoqërore. Fëmija ndjen një magjepsje të madhe për shkronjat apo për numrat ose për të dyja bashkë. Dhe kjo sjell një aftësi të përparuar të leximit për moshën e fëmijës, krahasuar me fëmijët e së njëjtës moshë. Mjekja në studion e “Rreze Dielli” tregoi disa nga simptomat apo karakteristikat që shfaqin këto fëmijë më herët dhe kur prindërit duhet të shqetësohen dhe të drejtohen tek një specialist.
Gjithashtu me neuropediatren flasim dhe për anglishten e ekraneve tek fëmijët e vegjël. Në kohët e sotme gjithnjë e më shumë dëgjon prindër që thonë fëmija im më shumë flet anglisht sesa shqip. Por a përbën kjo problem për zhvillimin e fëmijës nëse ai arrin të mësojë fjalë anglisht nga kukullat që shikon në televizor më shpejt sesa të flasë në gjuhën e nënës. A është mirë që fëmija të zhvillojë shumë më mirë një gjuhë të huaj para gjuhës amtare, çfarë pasojash sjell ky fenomen? Si ndikon në formimin e fëmijës mënyra sesi procesohet kjo gjuhë në formë automatike nëpërmjet ekranit apo tableteve?
Në studion e “Reze Dielli” aktori Aleks Seitaj në një rrëfim për karrierën dhe projektin e tij të fundit që bën bashkë të gjitha skeçet që ai poston në youtube, në një skenë komedie që do të zgjasë 1 orë. I njohur për rolin e Vezires në Portokalli, një gruaje super të kuruar edhe të kontrastuar me zërin e trashë, Aleks Seitaj tregoi se kush e frymëzoi për këtë personazh të cilën po e çon edhe në skenat e huaja. Si një artist shumë disiplinor, pasi këndon dhe aktron, Aleksi ka vuajtur pasojat e depresionit, që tashmë e kujton thjesht si e shkuara e errët e jetës së tij duke dhënë një mesazh për të gjithë ata që po e kalojnë këtë situatë të vështirë. Se si arriti të superonte problemet dhe të largonte mendimin për ti bërë keq vetes, artisti e rrëfeu në këtë intervistë, ku në fund u përshendet edhe nga mikesha e tij prej 10 vitesh Xhesika Polo.