Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 10 Mars 2026 – Receta/ Kur pasioni nuk njeh moshë, historia frymëzuese e 4 grave

10 Mars, 16:38 | Përditesimi: 10 Mars, 16:38

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Ëmbëlsirë me sherbet / Tavë Beratase me mish viçi dhe oriz / Speca me gjizë.

Në jetë thuhet shpesh se ëndrrat i përkasin rinisë, por ka histori që na tregojnë krejt të kundërtën. Histori grash të forta, që edhe pasi janë bërë gjyshe, vazhdojnë të ndjekin pasionet, të sfidojnë paragjykimet dhe të jetojnë me zemër të re. Sot në “Rreze Dielli” do të njohim katër gra frymëzuese, të cilat dëshmojnë se ëndrrat nuk kanë moshë dhe se jeta mund të fillojë nga e para në çdo moment. Yllka Ferko, e cila pas 32 vitesh i rikthehet pasionit për muzikën dhe sot këndon krah djalit të saj. Përparime Xhaferaj, që prej 15 vitesh shet petulla pranë Liqenit Artificial dhe gjen forcë çdo ditë tek dashuria për bashkëshortin e saj të sëmurë. Dashuri Divintari, e apasionuar pas udhëtimeve, e cila ndan eksperiencën e saj si misionare paqeje në Afrikë dhe qëndrimin 15-ditor në Bregun e Fildishtë. Gjithashtu ajo rrëfen dhe një histori të veçantë, zemrën dhe të gjitha organet ajo i ka në krah të kundërt, jo si të gjithë njerëzit. Ndërsa Marime Shaba, na kthen pas në vitet ’70, kur punonte si kamariere në Hotel Turizmi në Krujë dhe përballej me paragjykimet e kohës për profesionin e saj. Katër histori, katër gra dhe një mesazh i vetëm: Kur zemra ka ende ëndrra, mosha nuk është kurrë pengesë!

MC/Shqiptarja.com