Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 10 Shtator 2025 – Receta / Siguria ushqimore, çfarë po hamë?

10 Shtator, 15:43 | Përditesimi: 10 Shtator, 15:43

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qofte furre me perime / Galaktoboureko - Ëmbëlsirë greke / Komposto kumbulle në furrë.

Ushqimi, elementi thelbësor për jetën dhe shëndetin tonë është bërë gjithnjë e më shpesh objekt shqetësimi dhe diskutimi publik në vendin tonë. Ajo që dikur merrej si e mirëqenë, sot kërkon dyshim, kujdes dhe vigjilencë. Skandalet e njëpasnjëshme me produktet ushqimore shqiptare, të refuzuara apo të bllokuara në tregjet e rajonit, kanë sjellë jo vetëm frikë tek konsumatori, por edhe një pikëpyetje të madhe: A jemi realisht të sigurt për atë që konsumojmë çdo ditë? Vetëm gjatë javëve të fundit, pas Kroacisë dhe Bosnjës që bllokuan domatet dhe pjeshkët shqiptare, edhe Sllovenia ka ndërmarrë masa ndaj specave të kuq të importuar nga Shqipëria, për shkak të niveleve të larta të pesticideve të rrezikshme si acetamipridi, formetanati dhe flonikamidi. Raste të tilla nuk janë më të izoluara. Më 3 shtator, Kroacia dhe Bosnja ndaluan pjeshkët për përmbajtje të lartë të nikelit, ndërsa domatet rezultuan të mbingarkuara me pesticide pesë herë mbi normën e lejuar. Kujtojmë gjithashtu dhe rastin e mishit të pulës me salmonelë, i cili solli jo vetëm reagime të forta publike, por edhe dorëheqje brenda Autoritetit Kombëtar të Ushqimit..Në këtë situatë të përsëritur alarmi, pyetja lind natyrshëm: Kush mbron konsumatorin shqiptar? A funksionojnë mekanizmat që garantojnë sigurinë ushqimore në vend? Dhe më e rëndësishmja, a jemi ne si shoqëri mjaftueshëm të vetëdijshëm dhe të zëshëm për të kërkuar transparencë, kontroll dhe përgjegjësi? Për të diskutuar mbi këto shqetësime me rëndësi jetike, në studion e "Rreze Dielli" janë të ftuar Granit Sokolaj nga Qendra Alert dhe ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani.

MC/Shqiptarja.com