Zonja Albana solli katër receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe me spinaq dhe kos / Tavë me speca dhe oriz / Supë me kos, miell misri dhe lëng mishi / Kocka të pjekura në qeramidhe.
Në rubrikën “Bëje Vetë”, Niki dhe Stela sjellin tre receta natyrale dhe praktike për kujdesin e përditshëm të lëkurës, duke përdorur produkte të thjeshta që gjenden lehtësisht në kuzhinën tonë. Vajzat tregojnë si mund të kujdesemi për fytyrën në mënyrë natyrale, sidomos gjatë kësaj periudhe ku lëkura ka nevojë për më shumë freski dhe trajtim. Fillimisht, ato përgatisin një ujë tonik me karafil, i njohur për vetitë e tij pastruese dhe qetësuese, që ndihmon në reduktimin e puçrrave dhe pastrimin e lëkurës. Më pas vjen maska me niseshte, kafe dhe kos, një kombinim ideal për të ushqyer fytyrën, për t’i dhënë butësi dhe shkëlqim natyral. Ndërsa receta e tretë, me domate, kafe dhe tumerik, sugjerohet për kujdesin ndaj njollave kafe në fytyrë, veçanërisht në ditët kur rrezet e diellit bëhen më të forta. Tre mënyra të thjeshta për një lëkurë më të freskët, të pastër dhe të kuruar natyrshëm.
Në studion e Rreze Dielli sot do të surprizohemi nga arti i iluzionit dhe magjisë. Ai është vetëm 17 vjeç, por ka arritur të bëhet shumë viral në rrjetet sociale, duke mbledhur mijëra ndjekës me talentin dhe karizmën e tij si prestigjiator. Klesti Koxha “luan” me objektet dhe magjinë prej një moshe shumë të vogël, pasi pasioni i tij nisi kur ishte vetëm 7 vjeç. Si lindi kjo dëshirë për botën e iluzioneve dhe si arriti të mahnisë publikun në kaq pak vite? Këtë do ta rrëfejë vetë Klesti në studio, ndërsa do të na magjepsë edhe me numrat e tij të shpejtësisë, iluzionit dhe surprizave që premtojnë të lënë pa fjalë publikun.




















