Zonja Albana solli dy receta plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Ballokume në kushte shtëpie / Sallatë me lakër dhe proshutë.
Pse fëmijët po flasin dhe lexojnë më shumë në anglisht sesa në shqip? Vitet e fundit po vihet re gjithnjë e më shumë një tendencë e fëmijëve të cilët flasin më mirë dhe më rrjedhshëm në anglisht sesa në shqip, gjithashtu kjo tendencë vihet re dhe në preferencën e leximit të librave në anglisht. Ekspozimi më i madh ndaj gjuhës angleze në mjediset sociale dhe kulturore si televizioni, interneti dhe lojërat kompjuterike ka sjellë këtë fenomen, dhe ku prindërit mund të ndjehen mirë që fëmijët e tyre të mësojnë herët anglisht për shkak të mundësive të mëtejshme të punësimit dhe lidhjeve ndërkombëtare. Por a është kjo diçka pozitive për fëmijët? Sa e dëmton perfeksionimin e gjuhës shqipe ky fenomen? Flasim në studion e "Rreze Dielli" me Pedagogen Elsa Skënderi dhe Elda Vela nga Shtëpia Botuese Mediaprint, e cila ndër të tjera rekomandon dhe disa libra mjaft të vlerësuar për fëmijë të autorëve shqiptarë.
Në kulturën tonë tradicionale ka disa profesione të cilat janë konsideruar si të rezervuara për meshkuj dhe në fakt në të shumtën e rasteve janë të dominuara nga burrat. Megjithatë, në ditët e sotme, pavarësisht stereotipeve të vjetra gjinore, gratë po thyejnë tabutë në shumë fusha dhe po përfaqësohen gjithnjë e më shumë në profesione që dikur ishin të konsideruara si 'punë për burra'. I tillë është dhe rasti i 24 vjeçares Liljana Kurti që ka zgjedhur prej 4 vitesh të punojë si berbere për meshkuj. Në studion e "Rreze Dielli" Lili tregon si lindi kjo dëshirë, si e pritën familjarët e saj këtë zgjedhje, a është ndier ndonjëherë e paragjykuar që punonte në një berberhane, edhe pse sot ajo ka hapur sallonin e saj për meshkuj. Çfarë reagimi bëjnë meshkujt kur shohin një berbere femër si dhe cilat janë sfidat dhe vështirësitë e këtij profesioni, për të cilin Lili thotë se nuk është thjesht një zanat, por një pasion. Në studion e “Rreze Dielli” Liljana Kurti na tregon dhe cilat janë trendet e fundit të qethjes së meshkujve.