Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Trahanik / Kabuni tradicionale / Tavë ricikluese me bukë dhe bulmet.
Jemi në muajin e fundit të vitit, afër festave dhe sidomos në natën e ndërrimit të viteve ka disa rituale të cilat ne si popull herë i zbatojmë e herë jo. Cilat janë disa nga ritualet më të rëndësishme dhe kuptimi i tyre, si kanë lindur ato, por dhe cilat janë disa nga bestytnitë më të njohura, sa të vërteta janë apo çfarë legjendash fshihen pas tyre, i diskutojmë në studion e “Rreze Dielli” me teologun e njohur Miron Çako. Çfarë simbolizon pema e Vitit të Ri, po dekoret si kanë ndryshuar ndër shekuj nga mollët e degët natyrale tek topat shumëngjyrëshe. Simbolikat e ushqimeve të ndryshme si thjerrëzat, shegët, rrushi, e shumë të tjera, çfarë mendon teologu për këto, a sjellin me të vërtetë fat? Gjithashtu ndalemi dhe në simbolika si patkojt e kalit, hudhra në xhep apo hudhrat e varura, çelësat, simboli i paqes, etj. Teologu ndalet dhe në përçimin e energjisë negative, në mallkimin, në mësyshjen e magjitë… A ekziston vërtetë magjia? A mund të kuptojmë kur na kanë bërë magji?
Në ditët e sotme flitet shumë për transformimin personal, ndaj shumë njerëz zgjedhin të kenë një mentor në jetën e tyre për ta ndihmuar në rritjen personale. Për të treguar historinë e transformimit të jetës së saj, në studion e "Rreze Dielli" ishte e ftuar Egla Shkurta, eksperte marketingu dhe motivuese. Ajo rrëfeu sesi njohja me partnerin e saj i ndryshoi jetën, pasi ai i ndikuar nga spiritualizmi e shtyu dhe e motivoi të merrte hapa drastike. Fillimisht duke lexuar çdo ditë një libër, e më pas gradualisht duke e implementuar në veten e saj si një ndryshim. "Një transformim personal ndodh kur ndryshoni mendimet, sjelljet dhe besimet tuaja për të zgjeruar vetëdijen tuaj dhe për të jetuar një jetë më të kenaqshme. Sigurisht nuk ndodh menjëherë, nuk është linear dhe është një proces pa mbarim, e mbi të gjitha të bën të kapërcesh shumë sfida"- u shpreh Egla. Nga ana tjetër, si eksperte e rrjeteve sociale, Egla tregoi disa hapa sesi të rrisim ndjekësit në instagram, pa i blerë ato.