Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 13 Korrik 2023 – Receta / Simptomat e goditjes nga i nxehti, si të përballojmë temperaturat e larta

13 Korrik 2023, 15:39

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Makarona me pesto me gjethe selinoje / Fërgesë në tavë dheu me mëlçi / Pulë me jufka në furrë.  

Në studion e ‘Rreze Dielli’ me kreun e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore, Skënder Brataj flasim për simptomat e goditjes nga i nxehti dhe masat që duhet të marrim për të përballuar temperaturat e larta, kujdesin për të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët… Zyrtarisht i nxehti përvëlues ka ardhur, meteorologët parashikojnë që muajt korrik dhe gusht të regjistrojnë temperatura të larta në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa mjekët e dinë që i nxehti i verës do të shtojë urgjencat mjekësore. Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit, për fat të keq, nuk është pa pasoja në shëndetin tonë, veçanërisht kur nuk respektojmë rregullat për të përballuar këto temperatura ekstreme. Grupet më të prekura janë të moshuarit, veçanërisht pacientët me sëmundje kardio-respiratore, si dhe fëmijët shumë të vegjël. Një rëndësi të veçantë ka njohja e goditjes nga të nxehtit, cilat janë simptomat dhe dhënia e ndihmës së parë. Është shumë e rëndësishme të parandalosh dhe të veprosh në raste urgjente! Nxehtësia dhe djersitja gjithashtu mund të zvogëlojnë sasinë e lëngjeve në trup, ulin vëllimin e gjakut dhe të çojnë në dehidrim. Rreziku real është i shtuar në verë edhe nga frekuenca në plazhe e personave me sëmundje kronike, ku shpesh herë mund të çojnë edhe në arrest të papritur kardiak. Çfarë duhet bërë për të ulur këto rreziqe?