Zonja Albana solli tre receta tradicionale plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byreku i Ditës së Verës me 12 jeshillëqe / Qull me arra dhe pulë / Revani me miell misri.
Gëzuar Ditën e Verës! Festë në Elbasan, në epiqendrën e festimeve. Qyteti i ballokumeve arenë aktivitetesh. Live nga Elbasani me gazetarin Ronaldo Gjoshi përcjellim atmosferën festive, ndërsa gazetarja Ledina Jakimi nga qendra e Tiranës tregon mbi aktivitetet e kësaj dite Tirana pa makina, argëtim dhe festë… Në stendat e gatimeve tradicionale të zonjave elbansanllije por jo vetëm, zonja Adile na tregon se ka gatuar plot 3000 ballokume, ishte vetëm 7 vjeç kur i ka gatuar për herë të parë me ndihmën e gjyshes së saj dhe sot këtë traditë ia ka trashëguar dhe vajzave të saj… Elbasan, në shtëpinë e amvisës Burbuqe Plangarica e cila na tregon tryezën me gatimet dhe simbolet e festës së Ditës së Verës.
Në studion e “Rreze Dielli” në rubrikën “Bëje vetë” me estetisten Anita Llanaj realizojmë një xhel botoks natyral për një fytyrë rinore me vetëm dy përbërës: fara liri dhe miell orizi. Një maskë fantastike kundër rrudhave të fytyrës, njollave kafe por dhe poreve të lëkurës, e thjeshtë për ta realizuar dhe super praktike në aplikim. Jepini fytyrës tuaj hidratimin dhe shkëlqimin me këtë maskë të shpejtë në kushte shtëpie! Gjithashtu tregojmë sekretin si të largojmë si me magji pikat e zeza në hundë në kushte shtëpie, për këtë nevojiten pak përbërës me 0 kosto që të gjithë i kemi në shtëpi.
Njollat e salcës qofshin ato ragu, domate të freskëta apo ketchup nuk janë gjithmonë të lehta për t'u hequr qafe. Kjo për shkak të përbërësit yndyror që kanë brenda tyre. Rregulli i parë është të veproni në njollë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse nëse njollat nuk trajtohen menjëherë, atëherë mund të jetë më i vështirë largimi i tyre. Ka mënyra të ndryshme për të trajtuar njollat e salcës qofshin ato të freskëta apo të thata. Një nga metodat më të përdorura është e ashtuquajtura metoda e gjyshes, ju duhet vetëm një ingredient që të gjithë e keni në frigoriferin tuaj, e përshtatshme edhe për veshjet më delikate. Gjithashtu në rubrikën “Bëje vetë” tregojmë sekretin si të largoni njollën e vajit në xhinset tuaja vetëm më sodë dhe hekur.