Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lazanja pa petë me kungull, gjizë dhe djathë / Bishtaja të skuqura në krem kosi / Turshi me kastraveca dhe spec djegës.
Pushimet verore janë një nga periudhat më të pritura të vitit, një mundësi për t’u shkëputur nga rutina, për të ndërruar ambient dhe për të krijuar kujtime të reja. Por kur je prind i një fëmije të vogël, koncepti i pushimit merr një kuptim krejt tjetër. Çanta plot me lodra, ushqim, krem dielli dhe lodhje pa orar, janë vetëm disa prej "shoqëruesve" të rinj të udhëtimeve me fëmijë të vegjël. Si mund të balancohet dëshira për qetësi me nevojat e fëmijëve që janë gjithmonë në lëvizje? Dhe mbi të gjitha: si mund ta kthejmë verën në një kujtim të paharrueshëm për ta, por edhe në një periudhë forcimi të lidhjes sonë me ta? Të ftuar në studion e “Rreze Dielli psikologia Aljona Jonuzi, Rezart Cenaj ekspert i komunikimit dhe fotografja Orsola Mema, ndajnë eksperiencat e tyre reale me të qeshura, sfida, dhe ndonjëherë edhe ndonjë moment paniku në plazh, për të kuptuar më mirë se si pushimet me fëmijë të vegjël mund të jenë ndryshe, por jo më pak të vlefshme. Sepse ndoshta, nuk ka pushim më të bukur sesa ai që shndërrohet në kujtim për gjithë jetën!
Vera është stina e dritës, pushimeve dhe relaksit, por për flokët, veçanërisht ato të lyera, ajo shpesh shndërrohet në një sfidë të vërtetë. Rrezet e forta të diellit, uji i detit dhe klori në pishina mund të dëmtojnë strukturën e flokut, të zbehin ngjyrën dhe t’i lënë flokët të thatë, pa jetë dhe të brishtë. Shumë herë, pa e kuptuar, ne vetë i përkeqësojmë këto dëmtime përmes disa zakoneve të përditshme të gabuara gjatë pushimeve. Cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjmë me flokët gjatë verës? Si mund të ruajmë ngjyrën dhe shëndetin e flokëve të lyera ndërkohë që shijojmë diellin dhe detin? Për të na ndihmuar me këshilla profesionale, diskutojmë në “Rreze Dielli” me Olti Shullën, i cili na tregon si të kujdesemi për flokët me dashuri edhe në ditët më të nxehta të vitit.





















