Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Trileçe me karamel / Gjellë me bamje pa mish / Trahana me suxhuk dhe salcë speci.
Ka histori që nuk i përkasin vetëm së shkuarës, por jetojnë brez pas brezi, duke u bërë pjesë e identitetit tonë. Një prej tyre është Legjenda e Rozafës – rrëfimi i sakrificës, dashurisë dhe qëndresës, që prej shekujsh ka frymëzuar artistë dhe ka prekur zemra. Tashmë kjo legjendë vjen në një dimension të ri artistik. Më 22 korrik “Rozafa” ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në një produksion madhështor operistik, ku muzika, interpretimi dhe skenografia bashkohen për t'i dhënë jetë një prej miteve më të bukura të trashëgimisë sonë kulturore. Si është sjellë në skenë kjo legjendë e pavdekshme? Çfarë sfidash dhe emocionesh mbart një vepër e tillë, ku ndërthuren miti, drama, muzika dhe arti skenik? Për këto dhe shumë të tjera bisedojmë me të ftuarit tanë në “Rreze Dielli”, regjisorin dhe skenografin Andis Gjoni, sopranon Nina Muho dhe baritonin Armando Likaj.
Në rubrikën "Bëje Vetë", Niki dhe Stela realizojnë tre receta natyrale dhe praktike për kujdesin personal, të cilat mund të përgatiten lehtësisht në shtëpi. Një skrab natyral me rozmarinë, ideal për eksfolimin e trupit dhe për ta lënë lëkurën të butë, të freskët dhe të rigjallëruar. Më pas, përqendrohen te zona delikate e syve me një qetësues natyral me spirulinë ose matcha, që sjell freski dhe kujdes për një pamje më të çlodhur. Në fund, përgatisin një deodorant natyral me sodë buke, vaj kokosi dhe vajra aromatikë, një alternativë e thjeshtë për freski dhe aromë të këndshme gjatë ditës. Tre receta të frymëzuara nga natyra, të lehta për t'u realizuar dhe perfekte për një rutinë bukurie më natyrale në shtëpi.




















