Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Prill 2026 – Receta/ 'Letra e një të panjohure', një histori drithëruese/ Jeta e natës në kryeqytet, rrëfehet DJ Adry

17 Prill, 14:22 | Përditesimi: 17 Prill, 14:22

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kallamarë të mbushur / Supë orizi me fasule / Ëmbëlsirë me luleshtrydhe dhe puding.

“Letra e një të panjohure”, historia e trishtë e një gruaje që zgjedh të dashurojë në heshtje deri në vdekje një burrë, pa i treguar kurrë për ndjenjat e saj… “Letra e një të panjohure”, novela e njohur e Stefan Zweig, është një rrëfim i ndërtuar mbi ndjenja të thella, të fshehta dhe shpesh të pashprehura. Me një fabul që në pamje të parë duket e thjeshtë, vepra na zhyt në botën e brendshme të një gruaje që ka dashuruar në heshtje gjatë gjithë jetës së saj. Përmes një letre të gjatë dhe rrëqethëse, ajo i zbulon një shkrimtari të njohur një të vërtetë që ai nuk e ka kuptuar kurrë: praninë e saj të vazhdueshme dhe dashurinë e pakushtëzuar që ka ushqyer për të që nga rinia. Ky rrëfim bëhet një udhëtim emocional mbi sakrificën, vetminë dhe fuqinë e ndjenjave të pathëna, duke na treguar se sa thellë mund të rrënjoset dashuria edhe kur mbetet e pashpërblyer. Në këtë bisedë në “Rreze Dielli” me botuesen Loreta Berhami, do të ndalemi tek mesazhet që përcjell kjo vepër e Stefan Zweig përkthyer nga Vedat Kokona, dhe arsyet pse ajo vazhdon të mbetet një nga tregimet më prekëse të letërsisë botërore.

Në ritmin e zhurmës, dritave dhe energjisë që nuk ndalet kurrë, jeta e natës në kryeqytet merr një dimension krejt tjetër kur rrëfehet nga ata që e jetojnë çdo fundjavë nga afër. DJ Adry vjen në “Rreze Dielli” për të ndarë jo vetëm pasionin e tij për muzikën dhe atmosferën elektrizuese të netëve të gjata, por edhe sfidat e padukshme të një profesioni që kërkon përkushtim, durim dhe shumë energji. Mes tingujve të fortë, ritmeve që pushtojnë pistën dhe dëshirës së rinisë për të shijuar çdo moment, ai na fton të zbulojmë anën tjetër të medaljes: lodhjen, sakrificat dhe vështirësitë që fshihen pas performancave. Ky është rrëfimi i një DJ-i që jeton mes pasionit dhe realitetit, duke sjellë një pasqyrë autentike të jetës së natës në kryeqytet. DJ Adry na zbulon edhe një tjetër anë intriguese të skenës së natës: kush janë VIP-at më të njohur në clubet e Tiranës që ndezin atmosferën deri në kulm.

MC/Shqiptarja.com