Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek i hapur i korçarëve / Supë me lëng mishi dhe oriz / Embëlsirë me krem dhe kadaif.
Grupi prej 25-30 personash bëhen bashkë çdo fundjavë dhe organizojnë udhëtime me biçikleta. Përfaqësues të grupit vijnë në studion e ‘Rreze Dielli’ me dy rrotakët e tyre dhe na tregojnë eksperiencat fantastike në këtë aventurë që ka nisur prej 4 vitesh... Saimir Muka, Erla Sala dhe Gerti Cara janë tre nga anëtarët e grupit të apasionuar pas pedalimit. Ata rrëfejnë sesi pas pandemisë u bënë bashkë rreth 25-30 persona, të cilët i bashkonte një pasion i vetëm, udhëtimet me biçikletë. Djem dhe vajza të profesioneve të ndryshme bashkohen fundjavave duke vizituar të gjitha fshatrat e Tiranës. Ata na tregojnë dhe disa nga pikat më të bukura turistike pak kilometra larg qendrës së Tiranës si dhe zonat më të bukura të Shqipërisë. Tashmë udhëtimet e tyre të organizuara me biçikletë janë shtrirë jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, por dhe në Kosovë e Ulqin. Ata tregojnë disa nga vështirësitë e udhëtimeve në zonat më të thella, të cilat gjithsesi mbeten eksperiencat më të bukura, pasi aventura e tyre në grup është një adrenalinë dhe argëtim i vërtetë.
Jeta si ‘Dallgë në stuhi’ e poeteshës Majlinda Pajaj, e cila jeton prej vitesh në Amerikë ku punon si ndihmës infermiere. Një rrëfim i sinqertë për vështirësitë e jetës si emigrante dhe zbulimin e pasionit për poezinë dhe pikturën… Poetja Majlinda Pajaj është autore e katër vëllimeve me poezi, vargje magjike për dashurinë dhe të bukurën, si dhe anëtare e "Bijtë e Shqipes" në Filadelfia. Këto ditë Majlinda ndodhet në Shqipëri për t’i dhënë një çmim mirënjohje aktores së njohur Tinka Kurti nga "Bijtë e Shqipes". Në profesion Majlinda është ndihmës infermiere, por paçka orëve të gjata në spital, ajo gjen kohë të merret me poezi. Katër vëllimet e saj me poezi ia ka dhuruar bibliotekës që ndodhet në ambientet e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, në mënyrë që fëmijët të lexojnë në gjuhën shqipe dhe të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre. Majlinda një grua me shpirt të bukur dhe të fortë, rrëfen vështirësitë e para pas emigrimit në Shtetet e Bashkuara. Por vështirësitë nuk e penguan kurrë të krijonte vargje të bukura për shpirtin. Së shpejti, atë do ta njohim edhe në zhanrin e romanit.