Zonja Albana solli katër receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë qengji me kos / Përshesh me gjizë / Supë me kastravec / Gliko rrushi. E kemi bërë traditë tashmë që në këndin e kuzhinës të japim dhe këshilla praktike dhe truke pastrimi për zonjat e shtëpisë. Albana me Nikin treguan sesi të heqim shpejt dhe lehtë njollat e pecetave të kuzhinës.
Shkrimtarja dhe pedagogia shqiptaro - zviceriane Enit Karafili Steiner flet për romanin e saj 'Epope Intime', një sagë e tranzicionit shqiptar, emigrimin, dështimet e triumfet... Enit Karafili Steiner është specialiste e iluminizmit dhe revolucioneve të shekullit të XVIII dhe letërsisë së këtij shekulli. Shkrimtarja shqiptare që jeton në Zvicër, pas dy romaneve të para “Tokëmjalta” dhe “Dhunë e dhunti”, vjen me këtë sagë të paharrueshme shqiptare, ku malli dhe dashuria për atdheun lidhen me fije të padukshme me mallin dhe dashurinë për njerëzit. Ky libër përçon shkëndija prej shpirtit të tranzicionit shqiptar, rrëfen dështimet e triumfet, siç gjallojnë në dy njerëz të dashuruar, të ndarë e të lidhur si gërmat e një epopeje. Në studion e “Rreze Dielli” Enit Karafili Steiner, gjithashtu rrëfen jetën prej 3 dekadash në Zvicër, vendimin e vështirë për t'u larguar në moshën 18 vjeçare nga familja dhe dashurinë për letërsinë.