Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 2 Prill 2025 – Receta/ Të jetosh me autizmin/ Marrëdhëniet pas të 40-ve / Këngëtarja Elona Cenaj

3 Prill, 09:12 | Përditesimi: 3 Prill, 09:12

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pacarok me miell misri dhe spinaq / Tavë me patëllxhanë dhe djathë / Byreçka role me lakër.

Sot është Dita Botërore e Autizmit, një ditë ndërgjegjësimi lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimit të jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Mbështetja e vogël financiare dhe shërbimet e pakëta publike i pengojnë fëmijët dhe të rriturit me çrregullime të spektrit të autizmit në Shqipëri që të marrin trajtimet e duhura, duke vënë në rrezik zhvillimin dhe të ardhmen e tyre. Elsi nuk i kishte bërë akoma 2 vjeç kur nëna e tij nisi të dyshonte se diçka nuk shkonte me të birin. Pas vizitave të njëpasnjëshme, ai u diagnostikua me çrregullime të spektrit autik, një kalvar dhe një rrugëtim i gjatë mundimesh dhe sfidash. Sot Elsi është 17 vjeç, së bashku me nënën e tij, zonjën Bardha rrëfejnë në studion e “Rreze Dielli” sfidat e të jetuarit me autizmin, dashurinë pa kufij, forcën dhe lidhjen e tyre të veçantë nënë e bir. Bardha Prifti tregon se të gjithë jetën ia ka dedikuar të birit, u largua nga puna dhe është përkushtuar ‘me mish e me shpirt’ siç shprehet ajo që të mund të integrojë sado pak të birin, dhe ndjehet krenare për atë që ka arritur. Nuk harron të falenderojë dhe bashkëshortin e saj, i cili ka qenë mbështetësi i palodhur, por tregon dhe pengun e saj më të madh: ç’do të bëhet me të birin kur ata të mos jenë më?!

Jeta, vetëbesimi, dashuria në dekadën e katërt të një gruaje. Pse dhe si përjetohet adoleshenca e dytë në këtë periudhë? Cili është sekreti për të qenë të lumtur me veten pas të 40-ave? A është më e lehtë apo më e vështirë të fillosh një lidhje të re në këtë moshë? Dashuria dhe marrëdhëniet pas të 40-ave.... Çfarë thonë panelistet e ftuara në studion e "Rreze Dielli", psikologia Bona Miekley dhe këngëtarja Elona Cenaj.

Elona Cenaj, një emër i njohur në muzikën shqiptare, ka realizuar ëndrrën e saj fëmijërore për të performuar në skena të mëdha. Me një karrierë të pasur që përfshin koncerte në diasporë dhe pjesëmarrje në evente kulturore prestigjioze, ajo ka arritur të fitojë zemrat e publikut. E ftuar në studion e “Rreze Dielli” ajo ndan momente nga rrugëtimi i saj artistik, rrëfen si lindi pasioni për muzikën dhe për këngët e jugut inspiruar nga i ati që mbante iso-në polifonike, si dhe na prezanton me këngën e saj më të re 'Dashurisë i rëntë pika'. Elona rrëfen duke qeshur se gjatë xhirimeve të videoklipit të këngës, djali i saj 20-vjeçar u dashurua me një nga vajzat e klipit.

MC/Shqiptarja.com