Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 2 Qershor 2026 – Receta / Bëje vetë/ Ushtrime pilates / Lipedema apo celulit?

2 Qershor, 16:06 | Përditesimi: 2 Qershor, 16:08

Zonja Albana solli katër receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjyveç me makarona dhe mish viçi / Gjellë vere në tigan / Gurabije me gjalpë pa vezë dhe pa fryrës / Sherbet me mollë.

Në rubrikën "Bëje Vetë", Niki dhe Stela rikthehen me ide të thjeshta, praktike dhe krejtësisht natyrale për kujdesin në shtëpi. Duke përdorur përbërës që gjenden lehtësisht në kuzhinën tonë, ato tregojnë se si mund të kujdesemi për bukurinë dhe mirëqenien pa pasur nevojë për produkte të shtrenjta apo me shumë kimikate. Vajzat përgatisin një shpëlarës natyral për gojën me karafil dhe kanellë, i cili ndihmon për freski dhe aromë të këndshme gjatë gjithë ditës. Më pas, na tregojnë si të krijojmë në shtëpi një skuqës për faqet "ruzh", me përbërës natyralë dhe të sigurt për lëkurën. Ndërsa në fund, zbulojnë një metodë të thjeshtë dhe natyrale që mund të ndihmojë në zbutjen e rrathëve poshtë syve dhe t’i japë fytyrës një pamje më të freskët dhe të çlodhur.

Të kujdesesh për trupin nuk është vetëm një zgjedhje estetike, por një mënyrë për të jetuar më shëndetshëm dhe me më shumë energji. Mes ritmit të përditshëm, stresit dhe mungesës së kohës për veten, aktivitetet fizike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për mirëqenien tonë fizike dhe mendore. Një nga format më të preferuara dhe efektive për të mbajtur trupin në formë është Pilates, një kombinim perfekt mes forcës, fleksibilitetit dhe balancës. Instruktorja Linda Kalemi na tregon më shumë mbi përfitimet që sjell Pilates në jetën tonë të përditshme. Si ndihmon ky aktivitet në tonifikimin e trupit, përmirësimin e posturës dhe reduktimin e stresit? Pse po zgjidhet gjithnjë e më shumë nga vajza dhe gra të çdo moshe? Dhe si mund ta kthejmë Pilates në një stil jetese për t’u ndier më mirë me trupin dhe veten tonë.

Lipedema apo celuliti? Shpesh ngatërrohen me njëra-tjetrën, por në fakt janë dy gjendje të ndryshme që prekin kryesisht gratë dhe kërkojnë qasje të veçanta në trajtim. Si mund t’i dallojmë? Cilat janë shenjat karakteristike dhe çfarë zgjidhjesh ofron estetika moderne për përmirësimin e tyre? A lidhen ato vetëm me estetikën, apo mund të ndikojnë edhe në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së personit? Gjithashtu, do të flasim për faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre dhe kur është momenti i duhur për të kërkuar ndihmën e specialistëve. Për të folur më shumë mbi këtë temë, në "Rreze Dielli" diskutojmë me estetisten Sidorela Gremi.

MC/Shqiptarja.com