Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 20 Janar 2026 – Receta / Bullizmi në shkolla / ‘Bëje vetë’, Aromat në shtëpi & Hekurosja

20 Janar, 15:36 | Përditesimi: 20 Janar, 15:36

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petanik me djathë, kos dhe vezë / Brumçe jeshile me spinaq në kos me hudhër / Smoothie me panxhar dhe mollë.

Bullizmi në shkollë është një plagë e heshtur që prek shumë nxënës, shpesh pa u vënë re dhe pa u folur mjaftueshëm. Por sot, zëri i tyre po bëhet më i fortë. Nxënësit e shollës "Ali Demi" kanë ndërmarrë nismën “Fuqia e fjalës”, një projekt që synon të thyejë heshtjen dhe të inkurajojë raportimin e rasteve të bullizmit përmes dialogut dhe mbështetjes. Në qendër të këtij projekti është “Kutia e fjalës”, një hapësirë ku nxënësit ndajnë histori reale bullizmi dhe përvoja personale, duke marrë përgjigje, mirëkuptim dhe zgjidhje. Përmes rrëfimeve të tyre, ata tregojnë se fjala ka forcë: të lëndojë, por edhe të shërojë. Ajsli Elezi, Gledis Hoxha dhe Amelia Merizaj, nxënës të angazhuar në këtë nismë, ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre, duke dhënë një mesazh të qartë: bullizmi nuk duhet pranuar dhe askush nuk duhet të ndihet vetëm. Zëri i nxënësve sot është hapi i parë drejt një shkolle më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë.

Një shtëpi që mban aromë të mirë nuk është vetëm çështje produktesh parfumimi, por edhe e zakoneve të përditshme. Shpesh, pa e kuptuar, bëjmë gabime të vogla që lejojnë aromat e pakëndshme të grumbullohen dhe të prishin ndjesinë e pastërtisë në ambientin ku jetojmë. Nga ajrosja e pamjaftueshme deri te neglizhimi i disa detajeve të vogla, këto zakone ndikojnë më shumë sesa mendojmë. Në "Rreze Dielli" zbulojmë 12 mënyra praktike për ta mbajtur shtëpinë gjithmonë me aromë të këndshme, si edhe gabimet më të shpeshta që bëjmë çdo ditë dhe që na pengojnë të kemi një ambient të freskët dhe mikpritës. Një shtëpi që nuhat bukur është një shtëpi ku ndihemi më mirë!

Ndodh shpesh që pllaka e hekurit të ndotet nga pjesë të ndryshme të rrobave të cilat ngjiten në hekur, prandaj proçesi i pastrimit të tij është shumë delikat dhe i rëndësishëm. Nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi në të mbeten njolla sidomos kur përdorni në mënyrë të vazhdueshme avullin. Me një hekur të pastër rrobat tuaja do të mbeten të reja për një kohë më të gjatë. Që ta mbani hekurin tuaj si të ishte i ri, Niki me Lauretën në “Bëje vetë”, tregojnë si të pastrojmë hekurin në pak minuta me përbërës kuzhine që të gjithë i kemi në shtëpi - një metodë tepër praktike, pa kosto dhe 100% efikase. Gjithashtu amvisa Laureta Saliaj, na tregon se si mund të hekurosim në mënyrën e duhur këmishat dhe për më tepër pa u munduar shumë.

MC/Shqiptarja.com