Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 20 Shkurt 2026 – Receta / Humbje jete nga fostoksina, ç’po ndodh?/ ‘Bëje vetë’, Këshilla palosjeje

20 Shkurt, 14:35 | Përditesimi: 20 Shkurt, 14:35

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Krepa me mish të grirë dhe beshamel në furrë / Supë krem me miell orizi / Petulla me qumësht.

Brenda një jave, vendi është tronditur nga dy raste vetëvrasjeje me fostoksinë, një preparat shumë toksik që përdoret kryesisht për dezinfektim në bujqësi dhe që njihet për rrezikshmërinë e lartë dhe mungesën e një antidoti specifik. Këto ngjarje të rënda rikthejnë në qendër të vëmendjes një pyetje thelbësore: kush mban përgjegjësi dhe si është e mundur që një substancë e tillë të blihet kaq lehtësisht? Alarmi nuk është vetëm shëndetësor, por edhe institucional. Toksikologia Matilda Kambo, thekson se pasojat e helmimeve me substanca të tilla janë shpesh fatale dhe se sistemi duhet të fokusohet më fort në parandalim, kufizimin e aksesit dhe ndërgjegjësimin publik. Në një kohë kur shëndeti mendor dhe siguria publike kërkojnë vëmendje të shtuar, këto raste ngrenë dyshime serioze mbi boshllëqet ligjore, mekanizmat e kontrollit dhe përgjegjësinë e institucioneve për të mbrojtur jetën. Çfarë duhet bërë për të parandaluar këto tragjedi? Për këtë çështje flasim në studion e “Rreze Dielli” me Diana Toma, Sekretare e Përgjithshme e Urdhërit të Mjekut dhe Matilda Kambo, toksikologe.

Rregulli dhe organizimi në shtëpi fillojnë nga detajet e vogla. Palosja e çarçafëve, mbulesave të dyshekëve, peshqirëve, pecetave të bukës apo këmishave, nuk është vetëm çështje estetike, por edhe praktike. Një mënyrë e mirë organizimi ndihmon që hapësira të duket më e rregullt, kursen vend në dollap dhe e bën më të lehtë gjetjen e asaj që na duhet në përditshmëri. Me disa ide të thjeshta dhe praktike, mund të krijojmë një sistem funksional që sjell komoditet dhe harmoni në çdo shtëpi. Në "Bëje vetë", Niki dhe Laureta do të na tregojnë disa "truke" si të palosim gjithçka si profesionistë.

MC/Shqiptarja.com