Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Bukë shtëpie e butë si sfungjer / Tavë e shpejtë në 5 minuta me kunguj dhe beshamel / Akullore me shtresë biskote. Gjithashtu në oborrin e shtëpisë së saj, Albana tregon disa truke të thjeshta për të përgatitur në pak ditë turshi veror me kastraveca, domate dhe speca.
Në skype me shkuesin Enver Dajaku, i cili prej 20 vitesh bashkon çifte. Ai tregon se deri tani ka lidhur mbi 340 çifte dhe këtë dhunti e ka të trashëguar nga familja. Në Kosovë, msitin Enver Dajaku e njohin të gjithë pasi është shkues popullor, ndërmjetësues në njohjen dhe bashkimin e çifteve. Dajaku tregon se në vitet e kaluara ka qenë më e vështirë njohja e personave, ndërsa në ditët e sotme është pak më e lehtë, por me më pak bereqet, shprehet ai. Vitet e fundit, thotë Enveri, përveç Kosovës ka pasur kërkesa për shkuesi edhe nga djem nga Berati, Kosova dhe Tirana. I pyetur nga moderatorja sesi bëhet e mundur shkuesia, si dallohet përshtatshmëria mes çiftit, Enveri thotë “Hapi i parë është mosha, parja e fotografive të vërteta, pa rrena të djalit dhe vajzës, mbiemri i familjes është shumë i rëndësishëm dhe më pas pyesim nëse vajza apo djali kanë ndonjë defekt apo ves”. Ai tregon se shumë çifte i janë mirënjohës dhe për të është kënaqësi e madhe kur takon pas disa vitesh çiftet që ai ka kurorëzuar me sukses në një martesë të lumtur.
Njerëz të zakonshëm në ditë të jashtëzakonshme’. Rreshter Bledi Zaimi, aeroshpëtues, rrëfen momentet më të vështira më të cilat është përballur gjatë një operacioni shpëtimi… Vetëm dy ditë më parë Bledi Zaimi ishte pjesë e një operacioni të vështirë me ekuipazhin e Helikopterit Cougar, i cili u erdhi në ndihmë tre turistëve gjermanë, një grua dhe dy fëmijë, të cilët kishin rrëshkitur dhe kishin rënë në humnerë, teksa po vizitonin si pjesë e një guide turistike shpellën e Pëllumbasit. Të tre shtetasit e huaj u dërguan për trajtim në spitalin e Traumës, pa rrezik për jetën. I ftuar në studion e ‘Rreze Dielli’, Bledi Zaimi - operator bordi aeroshpëtues, tregon se ka 20 vite karrierë në ushtri, ndërsa në këtë profesion ka vetëm 8 vite, në të cilin ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së 23 personave. Ai rrëfen emocionet e këtij profesioni duke treguar vështirësitë, por dhe adrenalinën dhe sadisfaksionin teksa arrin të shpëtojë jetë njerëzish.
Në studio me Kesiana Meshau, 17- vjeçarja e cila u vlerësua me dy çmime në spektaklin e bukurisë: “Miss Publiku” dhe “Miss International”, ku do të përfaqësojë Shqipërinë në Egjipt. Së bashku me mamanë e saj Brunilda Meshau, rrëfejnë marrëdhënien e tyre të veçantë! Vetëm pak ditë më parë në Tiranë u organizua spektakli “Miss Shqipëria”, ku morën pjesë 25 vajza bukuroshe nga e gjithë Shqipëria. Njëra prej tyre është Kesiana Meshau, e cila u kurorëzua me dy çmime. Si fituese e çmimit 'Miss Internatinal', së shpejti Kesiana do përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin e Bukurisë në Egjipt. Ajo rrëfen emocionet dhe përgjegjësinë e këtij përfaqësimi dinjitoz. Në studion e 'Rreze Dielli' vajza bukuroshe shoqërohet me mamanë e saj, Brunilda Meshau, e cila nuk është një figurë e panjohur për publikun. Ajo është një nga finalistet e spektaklit Hell's Kitchen. Nënë e bijë, tregojnë marrëdhënien e tyre shumë të lidhur dhe të veçantë, për të cilën shprehen se janë më shumë se shoqe duke qenë se diferenca në moshë e tyre nuk është shumë e madhe.