Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pilaf me mish qingji dhe nenexhik në furrë / Pite me mish të grirë dhe spinaq / Tiramisu.
Lorik Cana futbollisti profesionist në rolin e mesfushorit, ka luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë dhe për klubin e Italisë “S.S Lazio”. Pasionin për futbollin e ka nisur që në vogëli, ku që në adoleshencë filloi të luante për ekipin zviceran “Lausanne Sport”. Gjatë karrierës së tij ka luajtur në shumë ekipe prestigjioze në Europë. Në studion e “Rreze Dielli” Lorik Cana flet për projektin e tij më të fundit me arbëreshët, një projekt me moton “për të njohur historinë tonë, duhet të zbulojmë rrënjët tona”. Gjithë shqiptarët anë e mbanë Botës kanë të drejtë të njihen me historinë e tyre, me historinë e të parëve tanë, me historinë e bijëve të Gjergj Kastriotit. Lorik Cana shprehet se ne kemi detyrën dhe përgjegjësinë të tregojmë se si vëllezërit tanë në Arbëri jetojnë, si flasin gjuhën që trashëguan, si këndojnë, si falen në gjuhën e trashëguar brez pas brezi… Në fund të bisedës ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ndau pak momente dhe nga familja e tij. Si është njohur me bashkëshorten italiane Monica Ercoli, ndjesia e të qenit baba, pasioni i djalit të vogël për futbollin dhe së fundmi lidhja e veçantë me më të voglën e familjes Enkeleida.
Myslimanët në të gjithë botën festojnë sot Bajramin, festën më të rëndësishme për këtë komunitet. Në studio me ish myftiun e Tiranës Ylli Gurra, flasim për 8 fakte interesante të kësaj dite festive. Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë. Festa e Bajramit ka një karakter shumë dimensional, e njëri nga ta është karakteri hyjnor i saj, që do të thotë se kjo festë fillon me faljen e namazit. Gjithashtu kjo festë ka edhe domethënie shoqërore. Në këtë ditë, kërkohet që besimtarët të shkëmbejnë ndërmjet vete urata, të kenë vizita të ndërsjella, sidomos më farefisin, të afërmit dhe fqinjët e tyre. Sot është një ditë urimesh ku duhet të dominojnë ndenja e pajtimit, faljes, e përmbajtjes së mllefit, të jemi triumfues ndaj hidhërimit dhe arrogancës sonë.